Nuk meritoni mandat të plotë!

Edhe sikur të gjitha subjektet e skenës (“teatrore”) politike të Kosovës të bëheshin bashkë mbrëmë përkrye nate, nuk e meritojnë mandatin katërvjeçar të qeverisjes. Liderët, që të gjithë, janë diskredituar aq shumë sa që populli nuk ka më nevojë për “shfaqjen” e tyre.

Opinion

20/11/2014 19:34

Pa bërë ndonjë llogari me laps, por vetëm të analizohet në vija të trasha dëmi që iu shkaktua Kosovës që prej 10 qershorit, të kujtohen akuzat që liderë e servilët e tyre i thanë njëri-tjetrit gjatë fushatës dhe këtyre pesë muajve e gjysmë (për të cilat dikush do të duhej të shkonte në burg nëse do të vërtetoheshin), do të kuptohet më mirë fraza e famshme e ambasadores Tracey Ann Jacobson: “Mos e dhini punën”!

Që prej kohesh, përpara dhe pas shpalljes Pavarësisë, e sidomos prej 10 qershorit 2014, ditën kur LDK, AAK dhe Nisma me një marrëveshje të arritur në afekt ndanë “kulaçin për pushtet”, dhe më pas, në afekt u përkrahën edhe nga Lëvizja Vetëvendosjes, shumëçka në skenën politike të Kosovës ishte përtej banales.

Kaluan gati gjashtë muaj derisa liderët iu binden Kushtetutës dhe aktvendimit të gjykatës së saj, apo thënë “shqip”, derisa ua imponuan daljen nga i ashtuquajturi ngërç, që kryekëput ishte ngërç interesash personale. Akuzat që u bënë për kapje të shtetit, përfshi Gjykatën Kushtetuese, që mund të jenë të qëndrueshme, shkuan huq. Më 10 qershor përballë parimeve fitoi lakmia për pozita dhe më këtë u dëshmua se nuk pati marrëveshje për ndëshkim të keqqeverisjes, por për vazhdim të saj.  

Gjatë këtyre muajve kishte edhe analiza, përpjekje dhe deklarata banale për të mbajtur e për të marrë pushtetin. Brenda një dite dikujt i lindi edhe ideja të kërkojë ndryshime kushtetuese, por kjo ishte diçka që nuk mund të bëhej në afekt. Sepse, më e lehtë prishej një koalicion paszgjedhor, qoftë edhe legjitim, sesa të shkelej një aktvendim i kushtetueses, “të kapur” a jo nga partia në pushtet.

Në këtë shekull, ndryshimet kushtetuese bëhen në Kuvend ose me referendum popullor. Ndryse do të ishte precedent i keq, sidomos për ata që ende u imponohet zbatimi dhe respektimi i ligjit, e që duhet poshtëruar publikisht nga ambasadorët e vendeve mike, që të ndërgjegjësohen sadopak.     

Përballë gjithë këtij mjerimi, nuk ka zgjidhje tjetër veçse të pranohet përkohësisht koalicioni qeverisës që u nënshkrua nën diktat. S’ka arsye as për tu “nxehur”, pasi nuk pritej ndryshimi sikur koalicionin ta formonte krahu tjetër.

Çfarë dallimesh kanë PDK, LDK apo AAK? Cila prej tyre e ka qeverisur Kosovën duke luftuar seriozisht korrupsionin, nepotizmin, krimin e organizuar apo e ka përmirësuar në një shkallë të konsiderueshme mirëqenien e qytetarëve? Çfarë dallimi kanë këto subjekte nëse zyrtari i kësaj apo asaj partie akuzohet se ka marrë një apo dy milionë euro më pak nga “spin off-i special” apo nga tenderët që thuhet se rrallë ndonjë prej tyre, që nga paslufta, është dhënë pa kurdisje? “Akuzohen” dhe “thuhet se”, sepse janë këto parti që deri më sot nuk lejuan të ketë gjyqësor të pavarur, të dihet cili nga politikanët është për pushtet, cili prej tyre për opozitë, cili i pafajshëm dhe cili është për burg.    

Dhe, të ndodhur përballë gjithë kësaj amullie, përballë këtyre subjekteve të dëshmuara për keqqeverisje, Lëvizja Vetëvendosje dëshmoi se nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të bërë mirë as opozitën, e lëre më të bindë masën për t’ia dhënë votën që të qeverisë vendin. Sepse ky vend, me gati 50 përqind të papunë, me varfëri të skajshme të 15 përqind të popullatës, me nivelin më të lartë të korrupsionit në Evropë, me edukim jocilësor, shëndetësi të kriminalizuar, pushtet gjyqësor të ndikuar nga politika, nuk ka nevojë për demagogji patriotike. Ka nevojë për vendosmëri të njëmendtë, për qeverisje të mirë, zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, demokraci të mirëfilltë dhe integrim në strukturat euro-atlantike. Kështu bëhet edhe Kosova e fortë, edhe shqiptarët faktorë.

Fatkeqësisht, votuesit në zgjedhjet parlamentare nuk e kishin mundësinë të ndëshkojnë keqqeverisjen e PDK-së ashtu sikurse bënë në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, kur ndëshkuan keqqeverisjen e cilësdo parti në komuna. Vota e atyre 40 për qind votuesve që dolën në zgjedhjet parlamentare u shpërnda nëpër parti, duke mos i dhënë mundësi asnjërës prej tyre të krijojë institucionet. Kjo, pikërisht për faktin se dallimet, duke pasur parasysh të kaluarën e partive që janë sprovuar në qeverisje, por edhe alternativën e Vetëvendosjes, ishin aq të vogla sa që votuesit, përjashto militantët, e kishin shumë të vështirë që të përcaktoheshin.

Prandaj, meqë të gjithë këta liderë janë bërë siç i thonë asaj fjalës “kape njërin e mëshoj tjetrit”, është koha që qytetarët të mos ndjehen edhe më tutje “të mjerë”, të logjikojnë përtej interesave personale, të tregojnë më shumë interesim për atë që ndodh rreth tyre, të kërkojnë llogaridhënie për gjithçka, brenda partive, brenda institucioneve dhe jashtë tyre. Është koha që shoqëria civile (ajo pjesa e pakorruptuar), qytetarët, secili, të bëjë presion që gjatë kësaj qeverisje të bëhen reforma zgjedhore, ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe të shkohet në zgjedhje të reja.   

Kësaj radhe, vetëdija qytetarë është edhe më e lartë se sa në zgjedhjet e kaluara lokale dhe tashmë, pas këtyre pesë muajve e gjysmë, është e qartë se rimëkëmbja me këtë mentalitet qeverisje e liderësh është e pamundur. Kosova ka nevojë për një gjeneratë të re politikanësh, gjeneratë që gjendet brenda këtyre partive politike, por që deri më tani fatkeqësisht u është ngulfatur zëri. Nuk ka nevojë më kurrë për këso shfaqje tragjiko-komike në “teatrin” e skenës së saj politike.