Nuk kanë bukë për Kurban Bajram

Pesë fëmijë jetimë së bashku me nënën e tyre po jetojnë në kushte tmerrësisht të këqija. Familja Llugiqi nga Dobraja e Lipjanit përveç kushteve të rënda sociale, ka edhe një vajzë e cila vuan nga sëmundja e epilepsisë.

Lajme

02/10/2014 09:10

Familja Llugiqi nga fshati Dobrajë nga komuna e Lipjanit, tash e tetë vjet jeton në varfëri të skajshme. Pesë fëmijët e kësaj familjeje ka shtatë vite që po rriten pa babanë e tyre, shkruan “Tribuna”.

Zonja e shtëpisë rrëfen vështirësitë me të cilat ajo dhe fëmijët e saj ballafaqohen. E sikur të mos i mjaftonin kushtet e rënda sociale dhe mungesa e të zotit të shtëpisë, ajo ballafaqohet edhe me sëmundjen e vajzës së saj.

Diellëza, vajza e dytë, vuan nga sëmundja e epilepsisë. Mirvetja rrëfen se i duhen shuma të mëdha parash për të blerë terapitë e katërmbëdhjetë vjeçare.

“Kur i ka vdekur baba i ka ndodhur sulmi i parë. Jetoj me stres çdo ditë mos po e rrok sulmi në rrugë ose shkollë. Terapitë po janë të shtrenjta e s’po mundem të gjitha me i ble”, tregon Mirvetja.

Ajo thtoë se jeton vetëm me 75 euro të cilat i merr në emër të ndihmave sociale.