Nuk ka probleme me fletëvotimet, qëllimisht janë shtypur më pak

Sot paradite është raportuar se në qendra të caktuara të votimit, janë duke munguar një pjesë e fletëvotimeve. Por kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, mohon mundësinë e ndonjë manipulimi, duke thënë se qëllimisht janë shtypur më pak fletëvotimi. 

Lajme

08/06/2014 14:45

Ajo ka thënë se nuk janë shtypur fletëvotimi aq sa ka votues të regjistruar, por vetëm në masën e 90 për qind të tyre, kjo duke pasur parasysh se në asnjë palë zgjedhje nuk kanë marrë pjesë më shumë se sa 50 për qind të votuesve.   

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të shtypen më pak fletëvotime se sa ka votues në Kosovë. Pra nuk janë 1 milionë e 789 mijë e diçka, mirëpo janë më pak. Pra janë 90 për qind e numrit të votuesve, pra aq ka fletëvotime. Çdo qendër e votimit ka numër më të vogël të fletëvotimeve, sepse ne konsiderojmë se, pas analizave që janë bërë, asnjëherë nuk kemi dalje më të madhe se 50 për qind. Prandaj edhe fletëvotimet janë shtypë në numër më të vogël, sepse thjeshtë për shkaqe ekonomike”, ka thënë Daka. 

Kryetarja Daka nuk ka komentuar për parregullsitë e mundshme, duke thënë se, për këto çështje, përgjigjet në konferencë Policia e Kosovës dhe Prokuroria.