Nuk ka për ne ‘Strategji dalëse’ nga Kosova

Qëndrueshmëria afatgjatë e një shteti ka supremaci të madhe ndaj stabilitetit afatshkurtër, i cili në të shumtën e rasteve është një alibi politike që mbanë pezull një shoqëri dhe një shtet.

Opinion

22/06/2016 19:04

E gjithë rrëmuja mediatike dhe politike që përcolli vendimin e Kuvendit të Kosovës, të së premtes së shkuar  (17 qershor), për vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë, për dy vite të tjera, sërish u shqua me një mungesë që tashmë ka tipare kronike, të gatishmërisë dhe dijes sonë për të kuptuar për çka bëhet fjalë në të vërtetë, dhe për të folur sinqerisht dhe hapur njeri me tjetrin për këtë rrëfim që niset dhe soset me domosdoshmërinë e Sundimit të Ligjit në Kosovë.

Ne vet kemi ftuar Misionin e EULEX-it të vi në Kosovë, në vitin 2008, tok me shpalljen e pavarësisë. Atëbotë mendohej, me të drejtë gjithsesi, që EULEX i duhet shtetit të Kosovës, për t’i kryer punët që nuk kemi ditë, nuk kemi mundur, nuk kemi dashtë t’i kryjmë, për shkaqet e shumta që janë grumbulluar këtupari në vitet e okupimit, të luftës dhe po ashtu, të administrimit të UNMIK-ut.

Në vitet e mëpasme, të gjithë ne së bashku kuptuam që realisht, si EULEX, ashtu edhe ne, si Kosovë, kemi kapacitete të bollshme për t’i bërë punët si duhet në forcimin e Sundimit të Ligjit në Kosovë, por që asaj trashëgimisë së mbrapshtë historike, ia kemi shtuar edhe mungesën e vullnetit politik, si në EULEX, ashtu edhe ndër ne, për t’i bërë veprimet e duhura. Arsyetimet kanë qenë të gjithfarshme, dhe shumë prej tyre janë bashkuar tek ai justifikimi i njohur që favorizonte një stabilitet afatshkurtër të vendit, në dëm të veprimeve ligjore të cilat jo vetëm që do ta dëshmonin që Kosova është në rrugë të drejtë për ta ndryshuar raportin tonë ndaj ligjit, por për më tepër, do t’i bënte themelet për një qëndrueshmëri afatgjatë të Kosovës. Nuk ka dyshim se qëndrueshmëria afatgjatë e një shteti ka supremaci të madhe ndaj stabilitetit afatshkurtër, i cili vjen e bëhet, në shumtën e rasteve, një alibi politike që mbanë pezull një shoqëri dhe një shtet.

Pos këtij vlerësimi përherë problematik që në realitet ishte një arsyetim për mosveprimin e EULEX-it në Kosovë, kemi edhe një tjetër faktor që duhet përmendur këtu e që flet për një barazim në përgjegjësi në mes nesh dhe EULEX-it, e cila thënë troç, nuk qëndron.

EULEX ka një mision dhe një mandat të harmonizuar në Bruksel, ka një buxhet të vetin, ka pjesëtarë të shumtë.

Mënyra se si funksionojnë misionet e këtij formati, për kosovarët është fort e mirë e njohur, sepse është pjesë e përvojës sonë si shoqëri, që prej vitit 1999-të. Sidoqoftë, shpeshherë i kemi ngatërruar, me apo po qëllim kjo nuk ka kurrfarë rëndësie këtu, pjesëtarët e EULEX-it me super-heronjtë e filmave hollywoodian, të cilët me guximin dhe dijen e tyre, në mënyrë të mrekullueshme do ta rregullojnë Kosovës sa çelë e mëshel sytë. Dhe pastaj, do të largohen prej këtu, për të na lëne neve ta gëzojmë një Kosovë të rregulluar mbarë dhe mirë. Përgjithmonë. Si në përralla dhe në filma.

Vetë karakteri themelor i Misionit të EULEX-it dhe i misioneve të tjera ndërkombëtare të kësaj natyre, flet pra, për një mandat kohor, për një periudhë qëndrimi, e cila pastaj, do të duhet të pasojë me largimin e tij. Zatën, gjithnjë në këto raste flitet për një Strategji Dalëse  (Exit Strategy), madje, në rastet kur kemi të bëjmë me misione serioze, të përgatitura mirë, ende pa mbërritë në shtetin ku do të veprojnë.

Në rastin tonë, si politikanë dhe si qytetarë të Kosovës, nuk ka dot ‘Strategji dalëse’, nuk kemi ku të shkojmë dhe ku të kthehemi. Ata vijnë dhe ata shkojnë, ne rrimë këtu, sepse ky është shteti i jonë, të cilin e bëmë kur e kuptuam që liria e një populli sigurohet dhe garantohet vetëm përmes shtetit, që siç është thënë shumë herë në të kaluarën, është shtëpi e një populli.

Nuk kemi si ta ngarkojmë Kosovën në valixhe të imagjinuara politike, për ta dërguar diku jashtë.

Nuk kemi as si ta bartim diku larg fatin tonë, si popull.

Bëhet fjalë për ne pra, për Kosovën si shtet të të gjithë neve.

As EULEX as kush tjetër, nuk mund do të na zëvendësojë në kryerjen e punëve tona të shtëpisë.

Këtë nuk e kemi kuptuar ende ne këndejpari, prandaj edhe sillemi në këtë mënyrë.

Natyrisht, pastaj fajësojmë gjithë Botën që jemi të tillë.

(Autori është opinionist i rregullt i lajmi.net)