“Nuk ka nivel të sigurt” të konsumimit të alkoolit

Një studim i ri global, i publikuar në revistën shkencore, Lancet, ka konfirmuar të dhënat e një studimi paraprak, i cili ka treguar se nuk ka “zonë të sigurt” të konsumimit të alkoolit.

Lajme

24/08/2018 12:58

Studiuesit kanë pranuar se konsumimi mesatar mund të ndihmojë kundër sëmundjeve të zemrës, mirëpo i njëjti ka gjetur se rreziku nga kanceri dhe sëmundje tjera tejkalojnë “të mirat” e konsumimit.

Një autor i studimit ka thënë se të gjeturat janë shumë të rëndësishme për shkak të një vargu faktorësh që janë marrë parasysh.

Studimi, që ka analizuar nivelin e konsumimit të alkoolit dhe efekteve në shëndet, ka përfshirë 195 shtete, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar nga viti 1990 deri më 2016.

Duke analizuar të dhënat e moshave nga 15 deri në 95 vjeç, studiuesit kanë krahasuar personat që nuk kanë konsumuar alkool asnjëherë me ata që kanë konsumuar një pije në ditë.

Ata kanë gjetur se nga 100,000 veta që nuk konsumojnë alkool, 914 prej tyre do të përballeshin me ndonjë problem shëndetësor.

Mirëpo katër njerëz më shumë se sa lista paraprake do të prekeshin nga këto sëmundje nëse konsumojnë një pije në ditë, duke rritur rrezikun për 0.5 përqind.

Për personat që konsumojnë dy pije alkoolike në ditë, rreziku i përballjes me sëmundje rritet për 7 përqind, derisa për konsumuesit e pesë pijeve të tilla, rreziku rritet në 37 përqind.

Udhëheqësi i studimit, Max Griswold, ka thënë se pavarësisht që studimet paraprake i kanë gjetur disa masa parandaluese në pirjen e alkoolit, një sasi tejet e vogël e konsumimit të tij tani duket se shton mundësitë për sëmundje.

“Megjithqë rreziqet për shëndet të lidhura me konsumim të alkoolit në fillim janë të vogla, ato rriten shumë shpejt teksa njerëzit konsumojnë më shumë”, ka thënë ai.