Nuk ka marrëveshje mes Britanisë dhe BE për Brexit

Negociatat për Brexit mes BE dhe Britanisë nuk do të rinisin deri para samitit të 27 vendeve anëtare, që mbahet këtë të mërkurë.

Bota

15/10/2018 23:41

Në një takim të zhvilluar të dielën mes negociatorit të BE-së, Michel Barnier dhe Sekretarit britanik për Brexit, Dominic Raab, së bashku me 27 ambasadorë tjerë evropianë në Bruksel, është spekuluar arritja e një marrëveshjeje të mundshme, për të vendosur kushtet e largimit të Britanisë nga BE.

Por negociatori i BE, Barnier bëri të ditur përmes një postimi në Twitter se “pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, disa çështje kyçe janë ende të hapura”.

Ai ka thënë se çështja që ndan të dyja palët është nevoja e “anashkalimit të një kufiri të ashpër”, në mes të Irlandës Veriore në Britani dhe Republikës së Irlandës pas Brexitit. Ndërsa Qeveria Britanike ka thënë se ende ka “çështje të pazgjidhura”, por ka insistuar se negociatorët kanë bërë “përparim të vërtetë”, drejt arritjes së paktit.

Kryeministrja britanike, Theresa May është duke u përballur me presion nga shumë anëtarë të Partisë Konservatore për të mos bërë lëshime ndaj BE-së, sidomos në çështjen e kufijve.

Këto bisedime të vështira e lënë të hapur mundësinë për Brexit “pa marrëveshje”, duke e bërë të paqartë marrëdhënien e bllokut evropian me këtë shtet në tregti dhe aspekte tjera, pasi Britania të largohet nga BE-ja. /abcnews.al/