Nuk ka kushte të reja nga Gjermania

Emisari i Berlinit për Europën Juglindore, Ernst Reichel thotë se Gjermania nuk ka ndryshuar politikën e vet për Serbinë dhe shpreson se të njëjtën do ta mbajë edhe pas zgjedhjeve në Gjermani, të cilat mbahen nesër.

Lajme

21/09/2013 08:44

I dërguari special i Gjermanisë për Evropën Juglindore, Ernst Reichel tha të premten se Berlini nuk ka kushte të reja për rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Europian dhe as që ka pasur ndonjëherë.

Mediat kanë raportuar ditë më parë se se ekziston një pako gjermano- britanike me nëntë kushte që Berlini dhe Londra ia kanë caktuar Serbisë para se të hapen negociatat e Beogradit për anëtarësim në BE.

Deri më tani, Gjermania e Kancelares Angela Merkel ka qenë më e zëshmja ndër anëtarët e BE’së që Serbia t’i përmbushë disa kushte specifike rreth Kosovës para se të mendojë për fillimin e negociatave me BE’në.

Reichel shprehu bindjen e tij se Gjermania nuk do ta ndryshojë politikën e vet sa i përket Serbisë pas zgjedhjeve që do të mbahen të dielën atje, raporton Tanjug.

Bundestagu ka një konsensus të fortë rreth synimeve të politikës gjermane në Ballkanin Perëndimor të cilat Serbia do të ketë një rol kyç. Reichel tha se Gjermania dëshiron që Serbia dhe rajoni të jetojnë në paqe, pa konflikte.

Kur u pyet ta komentojë deklaratën e deputetit gjerman Andreas Schockehoff se Serbia nuk është e gatshme për negociatat për anëtarësim në BE, Reichel tha se çështjet të cilat i ka ngritur deputeti gjerman janë të drejta.

Sipas Reichel, obligimet të cilat duhet t’i përmbushë Serbia deri në dhjetor janë të njohura mirë dhe ato dalin nga marrëveshja e Brukselit e arritur më 19 prill dhe nga plani për implementimin e saj.

“Ne kemi arritur përparim të konsiderueshëm në këtë rrugë. Megjithatë obligimet deri në këtë pikë nuk janë përmbushur deri në fund dhe kjo është arsyeja pse unë nuk mund ta kundërshtoj deputetin Schockehoff”.

Para se të emërohet i dërguar për Europën Juglindore, Reichel ka qenë Ambasador i Gjermanisë në Kosovë.