Nuk është çudi koalicioni PDK-LDK!

Opinionisti nga Shqipëria, Armand Shkullaku, i cili është aktiv në Kosovë sa herë që ka zgjedhje, ka vlerësuar se në fushatën elektorale mund të ketë ashpërsim të fjalorit politik, sidomos nga LDK-ja. Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se Thaçi nuk do të replikojë me LDK-në.

Lajme

28/05/2014 09:28

Shkullaku në një intervistë për “Epoka e re” ka thënë se mund të priten surpriza në këto zgjedhje, siç ai i krahason me Ligën e Spanjës në futboll.

“Zgjedhjet në Kosovë janë bërë si liga spanjolle në futboll, pra ka konkurrentë të fortë. Mendoj se mund të ketë surpriza të ndonjë partie që nuk pritet”, ka thënë ai, duke shtuar se PDK-ja mund ta ruajë epërsinë e votave në raport me LDK-në”.

“LDK do të jetë më e zëshme dhe do të tentojë të imponojë një lloj diskursi më agresiv në fushatë ndaj Qeverisë. Ndërsa sa i takon PDK-së, mendoj se fushata e PDK-së do të jetë e përqendruar tek oferta ekonomike dhe nuk besoj se do të replikojë ose të bëjë kundërakuza ndaj LDK-së”, ka thënë ai.

Pas 8 qershorit Shkullaku nuk e ka përjashtuar krijimin e një koalicioni midis PDK-së e LDK-së, por, ka thënë se AAK-ja ka shans të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme qoftë me partinë e Thaçit apo Mustafës.

“Nuk e shoh një koalicion të tillë, por nuk e përjashtoj, sepse gjithçka do të varet nga numrat. Ky koalicion në dukje të parë mund të mos jetë i shëndetshëm për demokracinë, por nëse në Kosovë ka ardhur koha të ketë një opozitë vërtet të fuqishme, këtë e shoh te Vetëvendosja!”, tha ai në “Epoka e Re”.