Nuk e përjashton koalicionin me Thaçin

Subjekti më i ri politik, Nisma për Kosovën, e cila arriti të kalojë pragun zgjedhor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën, nuk ka vija të kuqe për koalicion qeverisës, nëse kjo ftesë vjen nga partia fituese, Partia Demokratike e Kosovës. 

Lajme

09/06/2014 14:54

Lideri i Nisma për Kosovë, Fatmir Limaj, të hënën në një konferencë për media e ka lënë të hapur mundësinë për koalicion qeverisës me partinë nga e cila u largua para zgjedhjeve. 

Limaj tha se Nisma ka arritur objektivat e saj në këto zgjedhje, dhe se ata do të jenë zëri i fuqishëm qytetarë i Kosovës dhe do të mbrojnë vullnetin e tyre.

I pyetur nëse do të pranojnë koalicion me partinë e Hashim Thaçit, Limaj nuk ka thënë jo, por është shprehur se nuk e dinë çfarë koalicionesh do të ketë, pasi siç ka thënë ai, duhet të pritet deri sa të bëhet certifikimi i rezultateve zgjedhore.

 “Këtë do ta shihni pas rezultateve zgjedhore”.

“Nisma përfaqëson ndryshimin. Ne besojmë fuqishëm që ky vend ka nevojë për ndryshime dhe kjo agjendë dhe ky koncept politik do të vazhdojë”.

“Ne presim certifikimin e rezultateve zgjedhore. Nuk e di çfarë koalicione bëhen njëherë për njëherë”.

“Pas leximit të rezultateve do ta keni qëndrimin tonë pa ekuivoke”, tha Limaj.

Fituese e zgjedhjeve të së dielës është Partia Demokratike e Kosovës me mbi 31 për qind të 96 për qind të vendvotimeve të numëruara, ndërsa Nisma e themeluar nga Limaj dhe Jakup Krasniqi ka kaluar pragun zgjedhor, duke fituar 5.29 për qind të votave.