Nuk e llogarit Pacollin

Isa Mustafa thotë se respekton rivalët politikë - Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, e Albin Kurtin. Por, jo edhe Behxhet Pacollin, të cilin nuk e konsideron rival serioz në politikë.

Lajme

25/09/2013 21:27

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Behxhet Pacollin e AKR’së, as që e llogarit si rival serioz.

Siç transmeton Kosovapress, gjatë emisionit Debat në RTK, duke folur për zgjedhjet lokale, Mustafa ka thënë se respekton rivalët politikë – Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, e Albin Kurtin.

Ai ka pohuar se është në gjendje me secilin prej tyre të përballet dhe ta ballafaqojë programin dhe vizonin politik të tij me të tyre. Por, jo edhe me liderin e Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacollin.

“Për Pacollin s’po hyjmë… Unë po flas për këta që janë më seriozë. Ai tashmë ka mbetur gati pa parti krejt, por nejse. Janë zgjedhjet dhe do të shohim.”

“Ai po zhvillon një mercenarizëm politik të papranueshëm për realitetin tonë, mirëpo do ta shohim se çfarë do të ndodhë me atë stil të politikës në këto zgjedhje në Kosovë.”

“Është një rast i veçantë, por një rast i veçantë jo i mirë, por rast i veçantë i keq”.

Isa Mustafa, më tutje, ka thënë se me rivalët e tjerë politikë nuk sillet me komoditet, sepse ka përgjegjësi ndaj votës.

Ai ka ripërsëritur se LDK dhe ai si lider i saj pret që në këto zgjedhje t’i fitojnë edhe në Kryeqytet, edhe në shumicën e komunave të tjera.