Nuk e dija për djalin e Ramë Vatajt

Ministri i MASHT Ramë Buja sqaron si lejoi që djali i Deputetit të PDK’së, Ramë Vataj, të regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë jashtë afateve ligjore. Ai konteston përqindjen e Muharrem Nitajt rreth punimeve shkencore të kontestuara të stafit akademik në UP.

Lajme

13/02/2014 12:07

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka thënë se nuk ka qenë në dijeni që djali I Deputetit të Kuvendit të Kosovës nga PDK gjendet në listën e studentëve të propozuar nga Rektorati I UP’së për regjistrim jashtë afatit në Fakultetin e Mjekësisë të UP’së.

“Shtimi i numrit të studentëve në çfarëdo drejtimi, veçanërisht në shkenca ekzakte, atyre që kanë të bëjnë me laboratore e eksperimente, ka dëmtuar dhe vazhdon vazhdimisht cilësinë”, ka thënë Ministri Buja sot në Programin e Mëngjesit në RTK.

“Mua nga Prorektori i UP’së më ka ardhë një kërkesë me një listë të 8 a 10 studentësh që vijnë nga jashtë, për të studiuar në Prishtinë, dhe arsyetimi ka qenë që kjo shton koloritetin dhe unë pa u hamendur shumë e kam marrë dhe e kam analizuar, më vonë e kam kuptuar se ishte djali i Ramë Vatës aty”.

“T’ju them sinqerisht, nuk jemi shumë miq me Ramë Vatajn sepse kemi pasur edhe debate publike me të, por kjo s’është me rëndësi, por nuk kam ndryshuar në atë listë të 10 studentëve që vinë nga jashtë për të studiuar në UP sepse më është dukur që ata kanë interesim për të studiuar në Prishtinë. Kjo ka qenë”.

“Unë do t’i kisha ndihmuar përpara kujtdo, por jo Ramë Vatës, mirëpo ajo ka ndodhë dhe unë më vonë e kam marrë vesh”, ka thënë Ministri Buja.

Ministri Buja është përgjigjur edhe rreth deklaratave të ish kryetarit të Këshillit Drejtues të UP’së, Muharrem Nitaj, se 80 % e stafit të UP’së i kanë punimet shkencore të kontestuara.

“Nuk do të flisja me përqindje. Uroj që të jetë u kundërta, që 80 % të jenë të rregullta. Nuk e besoj atë përqindje”, ka thënë Ramë Buja.

Sipas tij, deri në miratimin e amandemantimit të Ligjit për Arsimin e Lartë dhe miratimin e plotësimit të Ligjit për Universitetin e Prishtinës konform kërkesave për autonominë, Universiteti do vijojë vetëm me funksione mbijetese në mënyrë që të evitohen të gjitha keqkuptimet.

“Rekomandimet që dolën nga ministria gjatë ditës së djeshme janë sygjerime apo rekomandime konform ligjit se si do të duhej të vepronte Senati në këtë gjendje që është krijuar. Kemi rënë në një gjendje të cilën askush nuk do të donte ta shihnim Universitetin. Tani do duhej të mbahet mbledhja e Senatit dhe të zgjidhet një kryesenator dhe të vijohet vetëm me funksionet themelore derisa të bëhet amandamentimi i Ligjit për Arsimin e Lartë dhe plotësimi i ligjit për statutin e Universitetit të Prishtinës”, ka deklaruar në Programin e mëngjesit të RTK-së, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja.

Sipas tij, tani gjërat mund të shihen më themel pasi telashet në universitet janë që prej 20-25 vjetësh.

“Nuk ka anarki në universitet. Gjithçka është duke shkuar në rregull ndërsa sa i përket ligjit ne do t’i shohim praktikat më të mira perëndimore”, tha Ministri.