Nuk dua të jem i treti

Ramush Haradinaj është i bindur se do të jetë Kryeministër i Kosovës. Shkaktari i humbjes në Pejë dhe Gjakovë, sipas tij, është futja në garë me kandidatë të njëjtë. Flet edhe për reforma në AAK. Zgjedhjet parlamentare i do në shtator.

Lajme

05/12/2013 23:25

Pavarësisht debaklit që pësoi në zgjedhjet lokale, Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj, beson se në zgjedhjet e ardhshme pralamentare do të dalë fitues.

Në emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova, Haradianaj ka folur edhe për humbjen që pësoi në tri komunat që deri më tani llogariteshin si bastion i AAK’së, duke thënë se dështimi ka ardhur si pasojë e kandidimit me kandidatë që kanë pasur dy mandate në ato pozita.

“Unë ju them që do të jem Kryeminstër. Pse? Unë nuk po flas vetëm dëshira, unë po flas matematikë reale çka po ndodh në jetën tonë në Kosovë”.

“Një parti e madhe siç është PDK, të drejtën për të treguar se si duhet të qeverisë e shfrytëzoi dhe e shihni si ka shkuar. Për LDK’në, kualiteti qeverisës po shihet se cili është. Të tjerët nuk dua t’i ngacmoj, se nuk janë kandidatë shumë seriozë”.

“Unë ofroj modelin qeverisës, 100 ditëshin. Unë them ky është plani im qeverisës në këtë mënyrë do ta zhvilloj ekonominë. E bazoj në kualitetet e qeverisjes që mund të ndodhin. Unë jam optimist se mund të hyj fuqishëm në garë dhe ta vazhdoj atë”.

“Jam duke  e kërkuar një mundësi  ku mund të ndikoj në vendin tim. E di që mundem, unë kam qenë një herë, e di që mundem. Kam thënë disa herë që nuk e pranoj stacionin numër tre”.

“Unë sot i them edhe PDK’së edhe LDK’së: më falni, por nuk pranoj me qenë në vendin e tretë”.

Haradinaj rezultatin në komunën e Pejës, Gjakovës dhe Rahovecit e ka vlerësuar si zhgënjyes.

“Jam ndier keq për rezultatet që kemi humbur në këtë komuna. E kam parë që dy mandate në komunë, Kryetari i Komunës në njëfarë mënyre tjetërsohet. Ka ndodhur e drejta në fund të fundit që është vendosur në këtë mënyrë. Mua më vjen keq se pse nuk kam ditur vetë të komunikoj me kolegët  e mi që t`i lus ata që të shkojmë me kanidadatë të tjerë”.

“Unë e marr një pjesë të përgjegjësisë. Nuk është rezultat i mirë për Aleancën, Aleanca duhet të kthjellet”.

Ai thotë se qytetarët kanë humbur durimin dhe partitë që kanë mundësinë të bëjnë ndryshime nuk e bëjnë një gjë të tilë, ato do të ndëshkohen me votë.

Sipas Haradinajt, AAK pritet që të bëjë reforma brenda saj.

“Aleanca me situatën ekzistuese nuk mund më ta dyfishojë rezultatin. Në rast se duam ta rrisim përkrahjen për Aleancën, atëherë gjysma e njerëzve në minimum duhet të jenë njerëz që vijnë nga jashtë”.

Haradinaj foli edhe për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat, sipas tij, duhet të mbahen në fund të shtatorit.

Nëse thonë që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, ai shprehet se do ta pranojë një gjë të tillë, por nuk do ta marrë përgjegjësinë.

Fushata zgjedhore ka qene e mbushur me akuza për AAK’në dhe Haradinajn. Është përmendur haraçi, kazionotë, vrasjet ne Dukagjin. Në një momente, atij i erdhi në maje të hundës dhe deklaroi se më nuk do të durojë, por “shpifesit do t’i ballafaqojë me gjykatat”.

Ish-Kryeministri i Kosovës, në vazhdim të intervistës sk tij në “Zona e Debatit” në Klan Kosova, ka ritheksuar se nuk do të tolerojë që të njolloset emri  tij, e këtu fjalën e kishte për akuzat e kandidatit të LDK’së Gazmend Muhaxheri.

“Haraçi është shpikur prej oponetëve politik, që të mbërrijnë caqe politike. Mirëpo, shumëçka e kësaj fushate negative ka kaluar në njëfarë lloj poshtërsie të llojit të vet. Mua më vjen keq prej qytetarëve, prej popullit, prej të gjithëve, por këtu shihet shkalla e poshtërsisë, që t’i mbledhim të këqijat dhe t’ia gjuajmë dikujt. Unë kam thënë që nuk duroj më dhe është e vërtetë që nuk duroj më. Ka filluar veçëse praktika e mosdurimit. Tashmë janë bërë paditë e para”, ka thënë Ramush Haradinaj.