Nuk do të ketë “qeveri teknike” dhe as “kryeministër nga zarfi”!

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajredin Kuçi, i pyetur se cili do të ishte qëndrimi i partisë së tij përballë një vendimi të imponuar për themelimin e një qeveri teknike, ka thënë se “nuk është temë ajo çështje”.

Lajme

30/06/2014 12:53

Ndërsa, i pyetur për mundësinë që edhe shefi i ardhshëm i qeverisë “të del nga zarfi”, ashtu sikurse thuhet të jetë ardhur në krye të shtetit, presidentja Atifete Jahjaga, Kuçi ka thënë për Telegrafin se “kjo është çështje hipotetike”.

Si pasojë situatës së krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit, përpjekjeve të ‘bllokut opozitar’ për t’ia pamundësuar partisë fituese formimin e qeverisë, mediat vazhdojnë të raportojnë, me burime anonime, se diplomatët perëndimorë në Bruksel po përgatitin një skenar për një qeveri teknike gjithëpërfshirëse.

Gjithnjë sipas skenarit ndërkombëtar, qeveria teknike do të përfshinte përfaqësues nga i gjithë spektri politik i Parlamentit të Kosovës, ndërsa të zgjedhurit duhet të jenë të përgjegjshëm në vendimmarrjen e tyre pasi iu duhet të vendosin për çështje me rëndësi kombëtare.

Por, i gjithë problemi qëndron te pozita e kryeministrit, se kush do ta udhëheqë këtë post deri në mars të 2016-s, dhe se a do të mund të arrihet ndonjë pajtim, apo partitë politike parlamentare do të vihen përpara një aktit të kryer, duke ua imponuar votimin e mandatarit “të dalë nga zarfi”.