Nuk dihet pasardhësi i Vulinit

Nuk është caktuar ende personi i cili do të jetë në krye të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Mediat serbe përmendin 5 emra që do të mundnin të udhëheqin me këtë zyrë. 

Lajme

03/05/2014 11:37

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë do të vazhdojë së funksionuari edhe në mandatin e ri.

Mirëpo, ende nuk dihet saktë se kush do të jetë pasardhësi i Aleksandar Vulinit, ish-drejtues i kësaj zyre. Sipas të përditshmes serbe, Danas, janë pesë kandidatë potencial për t’u bërë shefi i saj.

Në këtë listë të siguruar nga Danas janë ish-funksioneri i SPS-së, Veljko Odaloviq, Marko Gjuriq – këshilltar i presidentit serb, Tomislav Nikoliq për negociatat në Bruksel, Krstimir Pantiq nga Lista Serbe, Vladeta Kostiq Kryetar i Listës Serbe dhe Milorad Drecun, ish-Kryetari i Komisionit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë.

Ditë më parë, mandatari i qeverisë së re në Beograd, Aleksadar Vuçiq, pati thënë se nuk do të ketë asnjë dikaster që do të merret direkt me Kosovën, por se të gjitha ministritë do të kenë pjesën e tyre që do t’ia dedikojnë Kosovës.