Nuk besojnë në premtimet e Thaçit

Haki Shatri thotë se Kryeministri mund të kënaq disa “të mjerë” duke u fotografuar me ta, por se premtimet e tij nuk mund të realizohen. 50 mijë vende punë në bujqësi as “praktikisht as politikisht” nuk mund të ndodhin, thotë Imer Rusinovci.

Lajme

31/03/2014 07:11

Premtimet e kohëve të fundit të Kryeministrit Hashim Thaçi duket se jo të gjithë i shohin reale.

Ish Ministri i Financave, Haki Shatri, duke folur për Kontratën Kolektive, e cila është nënshkruar javë më parë, tha se kjo kontratë “nuk mund të zbatohet”, sepse sipas tij ka një “kosto të lartë buxhetore”.

“Thaçi po i kënaq disa të mjerë duke u fotografuar me ta. Kontrata Kolektive nuk ka mundur të zbatohet në vendin tonë që prej vitit 2003, dhe si e tillë nuk mund të zbatohet as në vitin 2015 sepse ka një kosto të lartë buxhetore”, tha Shatri për Zëri.

Ndërkaq, njohësi i sektorit të bujqësisë, Imer Rusinovci, për premtimin e Kryeministrit Thaçi për këtë sektorë, se do të punësoj rreth 50 mijë persona, nuk duket e realizueshme.

“As praktikisht as politikisht një numër i tillë i punëtorëve nuk mund të punësohet në sektorin e bujqësisë. Bujqësia në vendin tonë duhet të trajtohet njëjtë sikurse siç është në vendet e rajonit, as më pakë e as më shumë nuk ka nevojë”, tha Rusinovi për Zëri.

Kryeministri Hashim Thaçi ka premtuar 50 mijë vende punë në sektorin e bujqësisë si dhe një investim prej 500 milionësh në këtë fushë. Me vendim të Qeverisë sivjet u rritën pagat për sektorin privat për 25 përqind.