Nuhiu mes Austrisë e Shqipërisë

Atdhe Nuhiu nuk ka vendosur ende se cilin shtet do ta përfaqësojë në të ardhmen. Sulmuesi kosovar i ka në opsion Austrinë dhe Shqipërinë, por nuk ia mbyll dyert as Kosovës, për një periudhë më të largët.

Sport

08/05/2014 10:28

Sulmuesi kosovar, Atdhe Nuhiu nuk e di se cilin shtet do ta përfaqësojë, ndonëse ka tri opsione: Kosovën, Shqipërinë dhe Austrinë.

Ai thotë se për Kosovën është herët të vendosë, kurse bën të ditur se është në bisedime me krerët e Kombëtares shqiptare dhe atyre austriake.

“Që nga grupmosha U-17 kam luajtur për Austrinë, kështu që duhet të shikoj. Kosova është ende në fillimet e saj dhe kur të pranohet në FIFA e UEFA, është çështje tjetër”, deklaroi fillimisht sulmuesi i Sheffield Wednesday.

“Ka kohë ende për Kosovën. Bisedime kam me Shqipërinë dhe Austrinë, por ende nuk ka asgjë konkrete, nuk kam vendosur ende asgjë”, transmeton Koha Ditore.

Nuhiu po ashtu ka 13 ndeshje të zhvilluara për U-21 të Austrisë, duke realizuar shtatë gola, por nuk është ftuar asnjëherë në ekipin A të këtij vendi.

Ndërkaq, këtë sezon ai pati paraqitje të shkëlqyeshme në ligën e dytë angleze, duke realizuar tetë gola dhe tre asistime, nga 38 ndeshje të zhvilluara.