NRG Band tregon detaje për “Dashnia jeme”, bashkëpunimin me Genc Prelvukajn

Një tjetër bashkëpunim për NRG Band dhe kësaj radhe grupi ka bashkuar fuqitë me Genc Prelvukajn, duke i kënduar dashurisë së vjetër.

ShowBiz

01/07/2018 23:30

“Dashnia jeme” titullohet ky projekt muzikor, i cili ka ardhur mjaft ritmik dhe është pritur mjaft mirë nga publiku shqiptar.

Që në javën e parë të publikimit, kjo këngë është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List”, falë mbështetjes dhe sugjerimeve të shumta nga ana e fansave.

NRG Band ka zbuluar për Top Awards më shumë detaje sa i përket këtij projekti muzikor dhe sigurisht planet që kanë për këtë sezon veror.

“Ka kohë që kishim në plan të bënim një bashkëpunim me Gencin. Unë dhe Genci jemi shokë të vjetër dhe e kemi ruajtur miqësinë prej vitesh dhe ja erdhi bashkëpunimi, i cili është mirëpritur mjaft mirë nga fansat, për pak ditë arriti të mbledhë miliona shikime”.

“Në fillim Genci kishte një demo të thjeshtë kur më tregoi, pastaj me ta dëgjuar për herë të parë më erdhën si ide këto dy fjali ‘oj dashni, dashni e vjetër’ dhe çdo gjë u ndërtua duke punuar në studio”, citohet nga TCH frontmeni i NRG Band, Besnik Qaka.

Ai ka folur edhe për bashkëpunimet dhe këngët solo duke thënë se i pëlqen gërshetimi i ideve.

“Zakonisht kur jemi vetë, ndihemi më të kompletuar, por bashkëpunimet janë të mira për ne sepse ne si krijues hasim në gërshetim të ideve dhe është një përvojë e mirë”, është shprehur ai.

Fjalët e Besnikut për projektet e reja: “Këngë do ketë patjetër se po punojmë fuqishëm. Kemi mbledhur ide plot. Ju them fansave tanë se nuk do t’i zhgënjejmë”.

YouTube player