Normalizimi i vetvetes – Lajmi.net
Normalizimi i vetvetes
Autori: Blerim Shala Op-EdOpinion 9:57, 24 May 2018
Në Kosovë çorodia politike është pengesë e madhe që pala kosovare të organizohet si duhet, për tu bërë faktor determinuese për rrjedhën e dialogut me Serbinë.

Nuk është folur kurrë më shumë se javëve të fundit për domosdoshmërinë e përfundimit të bisedimeve të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Për më tepër, si asnjëherë më parë, janë përmendur edhe afatet kohore brenda të të cilave do të duhej gjetur epilogun e këtij dialogu që ka nisur para shtatë viteve. Tash po flitet për muaj të cilët duhet të shfrytëzohen me qëllim të mbërritjes tek Marrëveshja ligjësisht obligative. Duket që pranvera e vitit të ardhshëm synohet të jetë stina e kësaj Marrëveshjeje.

Në Washington, dy javë më parë pati edhe Mbledhje të diplomatëve të Quint-it  (pesë shteteve më të fuqishme perëndimore), me qëllim të koordinimit të qëndrimeve për finalen e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Bashkërenditja e pesëshes së madhe ka rëndësi të madhe, në mbështetje të Federica Mogherinit, Përfaqësueses së Lartë të BE-së, që mbetet pika qendrore ndërkombëtare e përgjegjësisë për këtë proces.

Edhe Samiti i Sofjes BE-Ballkani Perëndimorë, që u mbajt para një jave, pati mesazhe të qarta inkurajuese për te dy palët që të ecet në drejtimin e duhur.

Së fundit, nuk ka njohës ndërkombëtarë të rrethanave në Kosovë, në Serbi dhe në këto anë të Evropës, që nuk mendon që ka ardhë momenti për normalizimin e plotë të raporteve në mes të këtyre dy shteteve, dhe që humbja eventuale e këtij rasti, do të linte pasoja afatgjata për stabilitetin afatgjatë të gjithë rajonit.

Pra, të gjitha llogaritë e mundshme politike, diplomatike dhe të sigurisë që janë bërë apo që mund të bëhen në Kosovë, në Serbi dhe në BE, konfirmojnë në mënyrën më kategorike të mundshme që autoritetet e Prishtinës dhe të Beogradit, të ndihmuara nga ato të Brukselit  (dhe të përkrahura fuqimisht nga pesëshja perëndimore), do të duhej kryer punën një herë e përgjithmonë në kontestin një shekullor  (e pak më shumë), duke hyrë në periudhën e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Megjithatë, përkundër faktit që të gjitha vlerësimet, analizat dhe llogaritë shkojnë në dobi të mbërritjes të Marrëveshjes ligjësisht obligative, gjendja aktuale politike në BE, në Kosovë dhe në Serbi, nuk korespondon shumë me synimin për t’i shkuar deri në fund brenda gjashtë-nëntë muajve dialogut në mes të dy shteteve.

BE sot ka telashe të shumta të brendshme, të cilat kanë dobësuar potencialin organizativ, fuqinë e ndikimit politik, tek e mbrama, edhe atraktivitetin diplomatik për shtetet pretenduese për tu bërë pjesë e BE-së, megjithëse nuk duket që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimorë kanë farë alternative në këtë aspekt. Megjithatë, duket që Brukseli i sotëm mendon që roli i tij në dialogun e Prishtinës dhe Beogradit është krejtësisht lehtësues dhe logjistik  (për më shumë), ndërsa në anën tjetër, në raportet kontraktuale që ka vendosë me Kosovën  (MSA), dhe Serbinë  (negociatat për anëtarësim në BE), tema e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë shihet si kusht kryesor për përparimin e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së. Duket që këto dy momente janë në shpërputhje evidente.

Në Kosovë, çorodia politike që është faktor mbizotërues në skenën politike të vendit tash e gati pesë vjet, është bërë një pengesë e madhe që pala kosovare të organizohet si duhet, me një dakordim sa më gjërë të mundshëm, për tu bërë faktor determinuese për rrjedhën e këtij dialogu. Nuk ka asnjë argument të vetëm valid që mund ta mëdyshë domosdoshmërinë e krijimit të një Delegacioni të përbashkët të unitetit, i cili do ta kishte përgjegjësinë e bërjes së dialogut në Bruksel, teksa dihet që Kuvendi i Kosovës do të jetë autoriteti suprem ligjor dhe politik që do ta miratojë apo edhe do ta kundërshtojë Marrëveshjen ligjësisht obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në Serbi, kushdo që përcjellë anën mediatike/ publike të politikës së këtij shteti, do ta ketë fare lehtë të vërejë një mungesë të madhe të baraspeshe në mes të synimeve të artikuluara zëshëm të Presidentit të këtij shteti, Aleksandar Vuçiq, për ta bërë Marrëveshjen me Kosovën, sepse tjetër rrugë për të mbërri në Bruksel  (në BE), nuk ka, dhe vetë gjendjes politike dhe shoqërore në këtë vend, e cila shquhet me rrëfimet plotë urrejtje dhe mosdurim. Nuk kalon një ditë e vetme pa dëgjuar deklarata prej zyrtarëve serbë të cilat në realitet, dëmtojnë krijimin e një atmosfere më të mirë që është kusht për bërjen e Marrëveshjes me Kosovën.

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO