Normalizim marrëdhëniesh SHBA-Kubë, pas 53 vjetësh armiqësie

Presidenti i Kubës, Raul Castro ka thënë të mërkurën se kombi i tij është dakorduar për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, 53 vjet pas prishjes së marrëdhënieve.

Bota

17/12/2014 20:46

Castro ka mbajtur një fjalim televiziv në kryeqytetin Havana, në kohën kur në Shtëpinë e Bardhë presidenti amerikan Barak Obama e ka bërë publik vendimin për politikën e re amerikane karshi Kubës.

Ndonëse ende ka diferenca të mëdha mes dy vendeve, presidenti Castro ka thënë se dy vendet duhet të mësojnë të jetojnë me njëri-tjetrin në mënyrë të civilizuar.

Rrugët në Havana ishin të mbushura me njerëz që po e dëgjonin fjalimin e Castros.

Dakordimin përfundimtar e kanë arritur në një bisedë telefonike që ka zgjatur mbi 45 minuta presidenti Obama dhe ai kuban Castro.

Mirëpo, këtij zhvillimi të ngjarjeve i kanë paraprirë 18 muaj negociatash të fshehta, kryesisht në Kanada dhe të mbështetura nga Papa Françesku, i cili ishte nikoqir i rundit të fundit të negociatave të zhvilluara në Vatikan.