Nocioni “Islami tradicional”

Islami, si fe hyjnore, historikisht ka pasur gjithmonë dy burime themelore: Kur`anin, si dhe thëniet e praktikën jetësore të Pejgamberit Muhammedit.

Opinion

22/11/2016 11:00

Shkruan: Xhabir Hamiti

Këto dy elementë janë dy nga fondamentet bazë të tij, kurse të gjitha burimet e tjera që mund të jenë, si: analiza, studime, krahasime, interpretime, transmetime, e mendime të dijetarëve, janë të dhëna dhe shpjegime mbi Islamin, të cilat mund të jenë të sakta dhe jo të sakta dhe asnjëherë nuk mund të renditen të shenjta dhe të padiskutueshme.

Ndryshe, në historinë islame janë të njohura 4 shkolla juridike kryesore të drejtimit sunnit. Njëri nga themeluesit e tyre është en-Nu`man Ibn Thabit, i njohur me emrin Ebu Hanife, i lindur në vitin 700 të erës tonë, në qytetin Kufe – Irak, rreth 65 vjet pas vdekjes së Pejgamberit Muhammed a.s. Mësimet, qasja dhe forma e interpretimit të kësaj shkolle fetare juridike, të njohur tek ne me emrin “Medh-hebi Hanefij” (Drejtimi Hanefi), është përhapur në mesin tonë përmes perandorisë osmane, dhe që nga ajo kohë besimtarët e besimit Islam shqiptarë në shumicë kanë qenë praktikues dhe pasues të mësimeve fetare sipas shkollës në fjalë si dhe të drejtimeve mistike të njohura tek ne me emrin: “Rendet e Dervishëve”.

Vazhdimësia jonë me këtë qasje dhe këtë formë të mësimeve islame nga e kaluara jonë trashëguese, nënkupton termin “Islam Tradicional”, që si duket disa akoma nuk e kanë të qartë. Islami është një dhe për këtë askush nuk diskuton, sepse nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë shumë islamë, por është shumë e vërtetë se rrugët dhe format e interpretimit të tij janë të ndryshme, një realitet të cilit asnjë formë nuk mund t’i mohohet dhe t’i hidhet poshtë.

Tek ne, me Islamin tradicional nënkuptohet vija e mesme e interpretimit dhe praktikumit të fesë, që do të thotë joradikale, joekstreme, e as konservative, por një vijë e hapur, ofruese dhe integruese me ithtarët e vet dhe jokërcënuese ndaj pjesëtarëve të besimeve të tjera, e cila krahas dy burimeve qenësore të Islamit, ka pasur për bazë edhe arsyen si dhe traditën e një rrethi dhe shoqërie të caktuar, që në literaturën islame përkufizohet me termin “urf”.

Kjo rrugë dhe shkollë interpretuese është lini tradicionale interpretuese e fesë islame shekuj me radhë. Pra, është rruga edhe e prijësve dhe patriotëve tanë fetar dhe studiuesve me nam, si: Hfz. Ali Korça, Hfz. Vehbi Dibra, Faik Hoxha, Hfz. Ismet Dibra, M. Idriz Gjilani, M. Vesel Guta, Mulla Idriz Gjilani, Ef. Sherif Ahmeti, Hfz. Ibrahim Dalliu, Hfz. Ali Ulqinku. Hfz. Sabri Koç etj., etj.

Forma e interpretimit tradicional të mësimeve islame tek ne nuk nënkupton censurimin e mendimeve të tjerëve, mirëpo ajo përjashton dhe do të duhej të përjashtonte edhe në të ardhmen çdo fraksion, çdo sekt apo çdo orientim i cili në emër të Islamit krijon huti dhe paqartësi në mesin e besimtarëve shumicë, me cytjet dhe mësimet e agjentëve dhe agjenturave të jashtme, duke krijuar mjegullina dhe paqartësi me qëllim destabilitetin e komunitetit fetar shumicë ne vend, si dhe të tjerëve më tej.

Të thuash se në vendin tonë dhe në rajon gjatë këtyre 15 viteve nuk ka pasur dhe nuk ka interpretimit të fesë islame në bazë të një fryme konservative, të ngurtë, si dhe të një imitimi të verbër të autorëve dhe librave të caktuara, të cilat i preferojnë disa sekte të vendeve islame; ose duhet të jesh i verbër e të mos shohësh ose i shurdhër e të mos dëgjosh.