Njohjet nga “pesëshja” e BE-së do të vijnë brenda një viti

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka deklaruar se brenda një viti do të vijnë njohjet nga disa prej pesë shteteve anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë marrë këtë vendim.

Lajme

24/03/2014 08:22

Selimi ka thënë se Republika e Kosovës kohët e fundit ka nisur një proces shumë të rëndësishëm që dërgon deri tek njohjet nga këto pesë vende (Spanja, Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania).

Sipas tij, vetëm në javën që lamë pas, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka organizuar katër vizita në këto shtete.

“Nuk ka arsye të dyshohet se një vit prej sot Kosova do të jetë e njohur nga disa prej këtyre shteteve anëtare të Bashkimit Evropian”, ka thënë Selimi në një intervistë për gazetën Epoka e Re.

Duke folur për punën e Qeverisë, Selimi ka thënë se pavarësisht prej propagandës për Kosovën si shtet të dështuar dhe “vrimë të zezë”, Kosova ka shënuar progresin më të madh në historinë e vet në vitet e fundit të pavarësisë.

“Kush i mohon rezultatet ose është i verbër, ose i painformuar ose i sheh gjërat nga prizmi ideologjik”, ka thënë Selimi.