Njohje: As më pak dhe as më shumë! – Lajmi.net
Njohje: As më pak dhe as më shumë!
Autori: Blerim Shala Op-EdOpinion 9:01, 6 November 2018
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka si çelës të vetin njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete.

Përditë e më shumë po kuptohet një e vërtetë shumë herë e konfirmuar tashmë: Asgjë normale nuk ka në mësymjen e Serbisë së sotme për ta bërë Marrëveshjen me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, që janë dy shtete të pavarura.

Në fakt, qysh në këtë fjalinë e parë të këtij shkrimi është një konstatim i paqëndrueshëm, nga perspektiva e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij.

Për Vuçiqin, nuk ka biseda në mes të autoriteteve kosovare dhe serbe për arritjen e Marrëveshjes Ligjësisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës.

Serbia si shtet, bisedon me përfaqësuesit e shqiptarëve të Prishtinës. Ky është definicioni të cilit Vuçiqi i rri besnik me kokëfortësi.

Pastaj, ideja e normalizimit të raporteve Serbi – Kosovë, nuk ka tjetër formë dhe nuk mund të ketë tjetër model, sipas Vuçiqit, pos atij të krijimit të kufijve / demarkacionit në mes të serbëve dhe shqiptarëve, i cili nënkupton parimin territorial dhe etnik, duke menjanuar në tërësi temën e Kosovës si territor që është shtet i njohur ndërkombëtarisht.

Presidenti Vuçiq, Zëvëndës-Kryeministri Daçiq dhe të gjithë të tjerët që u rrinë prapa, kanë ndërmarrë një ofenzivë të madhe politike dhe diplomatike për ta dobësuar sa më shumë që është e mundur Kosovën, në të gjitha mënyrat e mundshme, veçmas kur bëhet fjalë për pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Pak ditë më parë, iu pamundësua Delegacionit të Kosovës të merr pjesë në një Konferencë në Beograd kushtuar të drejtës së romëve. Dihet që edhe sportistëve kosovarë i është bllokuar hyrja në Serbi. Kryediplomati serb Daçiq, po krenohet ditëve të fundit që ka arritë t’i bindë nëntë shtete ta tërheqin njohjen e Kosovës, e cila kishte ndodhur viteve të kaluara.

Beogradi ka lansuar një nismë të jashtëzakonshme javëve të fundit, që Kosovës t’i pamundësohet anëtarësimi në Interpol, në Asamblenë e Përgjithshme që do të mbahet në Dubai. Kosova, në vokabularin e Daçit dhe të tjerëve, portretizohet si shtet që mbronë terroristë dhe që është bazë e narko-kartelëve më të mëdhenj në Ballkan. Si mund një shtet i tillë pastaj të anëtarësohet në Interpol – konkludojnë Daçiq dhe zyrtarët e tjerë serbë.

Serbia i ka edhe disa përparësi të tjera të mëdha, në përgatitjen e terrenit për finalen e dialogut, të cilat janë rezultat i rrethanave ndërkombëtare që asaj i shkojnë për shtati, e neve objektivisht na e dobësojnë pozicionin.

Serbia ka përkrahjen e madhe, eksplicite të Rusisë, dhe me këtë BE-në e sotme, ky fakt nuk mirret si një deficit politik dhe diplomatik i Beogradit zyrtar  (siç do të duhej të ishte, kur dihet historia e politikës agresive ruse në Ballkan dhe në shumë shtete të Evropës), por përkundrazi, si një element që e forcon pozicionin e Serbisë.

Me apo pa dashje, kjo nuk ka fare rëndësi, edhe pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, janë në linjë pasive apo aktive me qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës. I ashtuquajturi ‘status neutral’ i tyre karshi Kosovës, nuk është aspak neutral. Këto pesë shtete si të tilla janë treguar për vite me radhë, realisht, më të fuqishme, më me ndikim në bllokimin e perspektivës reale evropiane të Kosovës, sesa njëzetedy shtete të BE-së (që e kanë pranuar Kosovën) në krijimin e kësaj perspektive.

Kjo është një tjetër e vërtetë e hidhur të cilën nuk duam ta shohim dhe as ta pranojmë ne.

Më në fund, edhe ne në këtë politikën tonë vendore, me këtë qasjen mbizotëruese ‘pikë dhe pesë’ rreth dialogut me Serbinë, e cila tutje është në fuqi, edhe pse kinse të gjithë bëjmë be në domosdoshmërinë e arritjes së konsensusit, po e dobësojmë vet pozicionin tonë negociator, dhe automatikisht, po e forcojmë pozicionin e Serbisë në këtë proces që na pret.

Kur të mirren parasyshë të gjitha këto çfarë u thanë dhe u konstatuan më parë në këtë shkrim, lehtë mund të konkludohet që skena politike kosovare urgjentisht do të duhej të mobilizohej politikisht, të përgatitej për periudhën më të rëndë të bisedimeve me Serbinë, dhe të bashkohej pa kurfarë rezerve rreth qëndrimit kategorik që Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka si çelës të vetin njohjen formale reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura.

Nëse as ky qëndrim nuk mund të na bëjë bashkë, atëherë keq po na shkruhet.

(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO