Njohja e Kosovës nga Serbia sjellë stabilitet në rajon

Deputeti shqiptar në Parlamentin serb, Shaip Kamberi thotë se akoma nuk kanë ofertë për të hyrë në koalicion qeveritar. Ai thotë se edhe nëse është në pozitë, Kosovën do e njoh si shtet. Njohja nga Serbia do të sillte stabilitet në rajon.

Lajme

20/03/2014 08:49

Shaip Kamberi nga Partia për Veprim Demokratik i cili do të jetë deputet në Parlamentin e Serbisë, tha se akoma nuk kanë marrë asnjë ftesë për të hyrë në koalicione qeveritare.

Në një intervistë dhënë për “Zëri”, Kamberi ka thënë se objektivi kryesor i pjesëmarrjes në zgjedhje ka qenë që të përmirësohet pozita e shqiptareve të Luginës.

“Ne ende nuk kemi asnjë ftesë nga cilado parti për të biseduar rreth pjesëmarrjes tonë në koalicionet qeveritare”.

“Objektivi ynë kryesor i pjesëmarrjes në këto zgjedhje ëshët që përmes kësaj forme të angazhimit politik në nivelin parlamentar të ndikojmë në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës”.

Edhe pse Shaip Kamberi nuk e di nëse do të jetë pjesë e Qeverisë, por një gjë e ka të qartë, se Kosovën do ta njoh si shtet, edhe në qoftë se është në pozitë.

Ai tha se njohja e Kosovës nga ana e Serbisë do të ndikonte në stabilitetin e paqes në Ballkan.

“Jemi në Qeveri ose jashtë saj, qëndrimi ynë si PVD nuk ndryshon. Kosova është shtet i veçantë me kufij të përcaktuar dhe të njohur nga fuqitë kryesore të botës”.

“Po ashtu besojmë se njohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë është element i rëndësishëm i stabilitetit të paqes afatgjate në Ballkan”.