Njihuni me historinë interesante të Volkswagen Passat (Foto)

Volkswagen Passat është një prej veturave që ka lënë gjurmë në industrinë e veturave në Evropë. “I lindur” më 1873 në Gjermani, por i akuzuar për “vjedhje” nga Audi, për kopjim të dizajnit dhe përdorim të platformës së njëjtë...

Auto & Tek

26/07/2015 21:07

Shumë njerëz kanë dëshirë ta kenë në garazhin e tyre, bashkëmoshatarët e tij e adhurojnë, por ka edhe prej atyre që e urrejnë për arsye të ndryshme. Në çdo rast, interesant është fakti se nga gjenerata në gjeneratë ka ngritur standardin, ka shtyrë kufijtë dhe fuqishëm ka ndikuar në konkurrencë, edhe pse jo rrallë herë ka shfrytëzuar shkurtesat, transmeton lajmi.net.

Gjenerata e parë: B1 (1973 – 1981)

passat

Passati i gjeneratës së parë është lansuar në treg në vitin 1973, në katër versione: sedan me dy dyer, sedan me katër dyer, heqbek me tri dyer dhe me pesë. Karavani me pesë dyer është paraqitur në vitin 1974.

Për dizajnin e tij ka qenë përgjegjës dizajneri i famshëm italian Giorgetto Giugiaro. Passati i  parë ka qenë njëra prej veturave më bashkëkohore të asaj kohe.

Megjithatë, nën karroceri fshihej Audi 80, i prezantuar para publikut një vit më parë. Në vitin 1964, Volkswagen pati blerë 50 për qind të aksioneve në kompaninë Auto Union, ku në pronësi të tij ishin markat e njohura si Audi, kurse 18 muaj më vonë edhe vetë Volkswagen.

Dhe pasi që VW bleu Audi, u krijua ideja e përdorimit të komponentëve të njëjtë në modele të ndryshme të këtyre dy markave. Kështu që Passati i parë ka ngjashmëri me modelin Audi 80, kurse Polo me modelin Audi 50. Gojëdhënat dhe dashakeqësit e kësaj veture, flasin se Passat kishte vjedhur teknologjinë e Audi.

passat

Kjo lëvizje i solli kompanisë të ardhura të majme, dhe kështu Ford Taunus/Cortina dhe Opel Ascona fituan një rival të rrezikshëm.

Platforma në të cilën është i bazuar, Passati i parë mban mbishkrimin B1. Motorët me 1.3, 1.5,1,6 litra me katër cilindra, të cilët gjithashtu i ka përdorur Audi 80, janë përdorur edhe në këtë veturë duke u kombinuar me transmisionin manual me katër shpejtësi apo me atë automatik me pesë shpejtësi.

“Lindja e Bora” ishte paralajmëruar në vitin 1977, kurse dy vite më vonë filloi prodhimi edhe i atij me 1.5 litra me naftë që prodhonte 35 kW (48 kuaj fuqi).

Modelit me motor me naftë i janë nevojitur vetëm 19,4 sekonda që të kap shpejtësinë nga 0-100 km/h, që i bie të jetë për gjashtë sekonda më i ngadalshëm sesa ai me motor me benzinë.

Gjenerata e dytë: B2 (1981 – 1988)

passat

Gjenerata e dytë e VW Passat është prezantuar në vitin 1981. Ai ishte paksa më i gjatë sesa paraardhësi i tij.

Karshi heqbekut me 3 dhe 5 dyer dhe versionit karavan, në ofertë ka qenë edhe sedani i cili nga fillimi e deri te redizajnimi i tij në vitin 1985, është shitur nëpër Evropë nën emrin Santana dhe me emra tjerë në gjithë botën si: Quantum në Amerikën Veriore, Corsar në Meksikë dhe Carat në Argjentinë.

Në vitin 1984, blerësve u ishte ofruar edhe versioni Syncro me tërheqje motorike me të katër rrotat, por edhe ky koncept ishte marrë nga Audi (quattro) nga Syncro sistemi i përdorur tek Golf II.

Duhet marrë parasysh, se versionet e ndryshme të këtij modeli nuk janë prodhuar apo shitur në gjitha tregjet në periudhën e njëjtë. Për shembull, në Argjentinë, Carat është prodhuar nga viti 1987 deri në vitin 1991.

Pranë motorëve me gjashtë cilindra me naftë dhe benzinë të marra nga gjenerata e parë, në ofertë ishin futur edhe motorët me 1.9 dhe 2.0 litra me naftë dhe benzinë.

Natyrisht se me kalimin e kohës këta motorë janë përmirësuar, disa prej tyre janë hequr nga përdorimi e disa janë futur në përdorim, por edhe oferta ka dalluar varësisht nga tregu.

As adhuruesit e transmisionit automatik nuk kanë mbetur duarthatë, edhe pse shpesh janë detyruar të argëtohen me transmisione manuale. Interesant është fakti, se si në disa vende të Evropës ende mund të gjinden nëpër tregje modele me transmision automatik.

Në vitin 1985 është paralajmëruar versioni i redizajnuar, me mbrojtës më të mëdhenj, maskë, ftohës dhe drita të pasme të reja…

Pwrpos SPanjws, në Evropë kishte filluar të qarkullojë me emrin Santana, kurse heqbeku me tri dyer nuk u prodhua më. Në mars të vitit 1988, u bë e ditur se kompania ka ndaluar prodhimin total të këtij versioni, edhe pse deri në korrik shiriti bartës i fabrikës zbriste nëpër garazhe versione me motor Syncro.

Deri në atë kohë në gjermani janë prodhuar plotë  3.345.248 njësi.

Gjenerata e tretë B3 (1988 – 1993)

passat

Gjenerata e tretë e Passatit në Evropë ka debutuar në mars të vitit 1988. Sa i përket dizajnit vërehej qartë se kishte përparime për dallim nga paraardhësit e tij, duke na rikujtuar me pjesën e përparme modelin Ford Sierra.

Derisa paraardhësit e tij kishin përdorur platformën e Audi, kjo gjeneratë ishte zhvilluar krejtësisht nga inxhinierët e Volkswagen. Në mënyrë që të kursehet në hapësirë, motori është futur më në mes të karrocerisë.

Për Volkswagen, Passat B3 ka pasur rëndësi të madhe, pasi tregonte qartë distancimin nga Audi. Edhe pse sipas nomenklaturës së platformës barte mbishkrimin B3, kjo veturë ishte e bazuar në të ashtuquajturën platforma B, të cilën e ka përdorur Golfi nga gjenerata e dytë.

Natyrisht, platforma është “zgjatur” si në gjatësi ashtu dhe në gjerësi. Gjithashtu shumë komponente kanë qenë të përbashkëta për të dy modelet.

passat

Ishte vendosur që blerësve tu ofrohen vetëm limuzina klasike, dhe kështu versionet karvan dhe heqbeku janë nxjerrë nga loja. Për dallim nga paraardhësit, emri Passat është përdorur në gjitha tregjet botërore.

Blerësit kanë mundur të zgjedhin në mes motorëve me benzinë me 1.6 litra (72 kuaj fuqi), 1.8 litra (75, 90 dhe 98 kuaj fuqi) dhe me 2.0 litra (116 dhe 136 kuaj fuqi).

Versionet sportive kanë qenë të pajisura me motor të fuqishëm me 1.8 litra turbo që prodhonte 160 kuaj fuqi, dhe të famshmin VR6 me 2.8 litra me 174 kuaj fuqi, që edhe sot konsiderohet si një veturë tejet e fuqishme.

Tek ne natyrisht se më të popullarizuar kanë qenë ata me 1.6 litra me naftë që prodhonin nga 60 deri në 80 kuaj fuqi, dhe me 1.9 litra me 68, 75 dhe 90 kuaj fuqi.

Gjenerata e katërt B4 (1993 – 1996)

passat

Passat B3 kishte pësuar ndryshime drastike në vitin 1993. Edhe pse nuk bëhet fjalë për një gjeneratë plotësisht të re, në treg kishte arritur me mbishkrimin B4.

Në të ishin ndërruar gjitha panelet e jashtme, përpos kulmit dhe xhamit, kurse sa i përket dizajnit na rikujtonte maskën klasike të ftohësit. Kur është fjala për enterier vërehej se ishte freskuar.

Në paketën e ofertës figuronin edhe jastëkët me ajër dhe rripat e përforcuar të sigurisë. Sa i përket fuqisë motorike, në ofertë ishin motorët me benzinë me 1.6, 1.8, 2.0 dhe 2.9 litra (VR6). Passati i atëhershëm VR6, mund të zhvillonte shpejtësinë maksimale deri në 224 km/h.

Megjithatë, motori me naftë me 1.9 litra që prodhonte nga 90 deri në 110 kuaj fuqi, kishte arritur të fitoi shumicën dërmuese të blerësve.

Gjenerata e pestë B5 (1996 – 2005)

passat

Gjenerata e pestë e Volkswagen ndanë platformën me Audi A4 të gjeneratës së parë, i cili ishte prezantuar dy vite më herët.

Fuqia motorike në të katër rrotat ka mundur të bartet përmes motorit me benzinë me 1.8 dhe 2.8 litra (V6), si dhe ata me naftë me 1.9 dhe 2.5 litra (V6 TDI).

Në ofertë ka qenë i disponueshëm me transmision automatik me gjashtë shpejtësi (tiptronic).

Passat B5 ka qenë vetura e parë e prodhuar gjermane që ka arritur të futet në kategorinë e veturave Premium, duke rrëmbyer kështu blerësit e Audi. Ai ka qenë më i shtrenjtë sesa konkurrentët e tij, dhe fatmirësisht ka arritur të ruaj vlerën. Në klasin e vet ka futur një nivel të lartë të kualitetit, luksit dhe pajisjeve tjera shtesë, dhe kështu edhe konkurrentët e tij janë detyruar të ndërmarrin një hap të tillë.

B5.5 (2000–2005)

passat

Njësitë e prodhuara kah mesi i viteve të 2000 janë të njohur si B5.5, pasi që në të janë kryer disa ndryshime stilistike dhe mekanike. Dritat e reja, mbrojtësit dhe dritat e pasme, janë disa nga detajet që bien në sy që në shikim të parë.

Gjermanët kishin vendosur që me këtë model të masin edhe pulsin e blerësve të limuzinave luksoze, dhe kështu nën kapak kishin futur motorin e fuqishëm me 4.4 litra W8 që prodhon 275 kuaj fuqi. Fuqia motorike e tij bartet në të katër rrotat. Ky motor është prodhuar nga viti 2001 deri në vitin 2004.

Ndërsa në fund të vitit 1999, në Kinë ishte paraqitur versioni i zgjatur i Passat, i cili më vonë u shfaq edhe në Evropë por si Skoda Superb.

Gjenerata e gjashtë B6 (2005 – 2010)

passat

Në verën e vitit 2005, u shfaq në treg edhe gjenerata e gjashtë e Passat. Për dallim nga paraardhësit, nuk kishte përdorur platformën e Audi, por kishte modifikuar platformën e gjeneratës së pestë të Golfit (PQ46).

Ajo çfarë e karakterizon janë performansat dhe madhësia e motorit, ku shumica e motorëve me benzinë kanë injektim të drejtpërdrejt të derivateve në motor.

Në Kinë është shitur si VW Magotan, pasi gjenerata e mëparshme kishte vazhduar të prodhohet.

Ndërkaq në shtator të vitit 2007, u prezantua Passat R36 me motor tejet të fuqishëm prej 3.6 litra VR6 që prodhonte plotë 300 kuaj fuqi, i cili gjithashtu ishte i disponushëm në versionin sedan dhe karvan.

Ky version ishte paksa më i shpejtë, pasi i nevojiteshin vetëm 5,6 sekonda që të arrijë shpejtësinë nga 0-100 km/h.

Passat CC

passat

Passati me mbishkrimin CC (Comford Coupe) është prezantuar në vitin 2008, si një limuzinë kupe – version më atraktiv dhe luksoz sesa modeli standard, i cili në shikim të parë vërehet se ka pamje të një veture sportive.

Në Amerikë është shitur si Volkswagen CC, pa emrin Passat, të cilin e kishte fituar në Evropë.

Gjenerata e shtatë B7 (2010 – 2015)

passat

Klaus Bischoff dhe Walter DaSilva, praktikisht kishin arritur të ristilizojnë gjeneratën e mëparshme në dhjetor të vitit 2010.

Edhe pse mbartë mbishkrimin B7, fjala është për një ridizajn e jo për një gjeneratë plotësisht të re.

Sa i përket ndryshimeve, kjo veturë ka ndërruar shumicën e paneleve të jashtme. Kulmi dhe pjesët e qelqta nuk janë prekur fare. Dritat dhe maska e ftohësit janë ato që kanë pësuar më së shumti ndryshime.

Pajisjet shtesë janë pasuruar me sistemin e ri të sigurisë (detektim i lodhjes dhe frenim automatik në ngasje me shpejtësi të vogël).

Alltrack

passat

Në fund të vitit 2010, është shfaqur në treg Passat Alltrack i dedikuar për ngasje edhe jashtë asfaltit, që nënkupton se ishte më i lartë (nga 135 në 165 mm), kishte mbrojtës tjerë dhe maskë mbrojtëse…

Tërheqja motorike në të katër rrotat zakonisht vjen tek motorët më të fuqishëm, derisa tek ai me 2.0 litra TDI mund të fitohet edhe në rrotat e para.

Gjenerata e tetë B8 (2014 – )

passat

Passati aktual ka filluar të prodhohet në vitin 2014. Edhe pse është për një nuancë më i shkurtër dhe më i ulët sesa gjenerata e mëparshme, falë hapësirës më të madhe boshtore ofrohet hapësirë më e madhe në kabinë. (lajmi.net)