Njeriu që krijoi Studimet Kulturore

Sociologu Stuart Hall ishte themelues i disiplinës akademike Studime Kulturore. Intelektuali i fuqishëm britanik bëri punë pioniere në formësimin e debateve kulturore mbi racën, gjininë, mediat dhe identitetin. Vdiq sot, në moshën 82 vjeçare.

ShowBiz

10/02/2014 21:00

Njëri ndër intelektualët më të rëndësishëm britanikë, sociologu dhe teoricieni kulturor Stuart Hall, ka vdekur në moshën 82 vjeçare.

Ai pati ndikim të fuqishëm në debatin akademik, politik dhe kulturor në Britani gjatë gjashtë dekadave të fundit.

U lind në Xhamajkë, në 1932.

Në 1951 fitoi një bursë për të studiuar në Oxford.

Karrierën akademike e filloi në 1964, kur u ftua nga kulturologu Richard Hoggart të bëhej hulumtues në të parën Qendër për Studime Kulturore në Britani, të krijuar në Universitetin e Birmingemit (The Birmingham School of Cultural Studies).

Katër vjet më vonë u emërua drejtor i Qendrës dhe u bë personaliteti qendror i shndërrimit të Studimeve Kulturore në disiplinë të mirëfilltë akademike.

Profesor i sociologjisë në Open University ishte prej 1979 deri në 1997.

E veçanta e ndikimit të tij intelektual qëndronte në shtrirjen që kishte jashtë hapësirave akademike.

Esetë mbi çështjet racore, gjinore, ato të seksualitetit dhe identitetit, përfshirë edhe relacionet multikulturore dhe (de)kodimin e komunikimeve mediale, në vitet e 1970’ta – konsiderohen pioniere në teorinë kulturore.

Ishte kryeredaktori i parë i revistës së njohur New Left Review, në vitin 1960, ku kontribuoi së bashku me akademikët majtistë Raymond Williams dhe EP Thompson.

Aktivizmi intelektual i të 1960’ave.

Gjatë viteve të 1980’ta u bë i njohur për shkrimet në revistën Marxism Today. Kritika që kjo revistë i bënte Thaçerizmit sfidonte mendimin tradicional majtist, sipas të cilit, kultura është plotësisht e determinuar nga forcat ekonomike.

Në shtator të vitit të kaluar filloi të shfaqej dokumentari biografik The Stuart Hall Project, i autorit John Akomfrah, që shërbeu për ta rikthyer në vëmendjen e opinionit publik rëndësinë e jashtëzakonshme intelektuale të Stuart Hall.

A.M.

 

VIDEOLISTA

Traileri i dokumentarit The Stuart Hall Project

Stuart Hall – Representation and The Media

Stuart Hall – Race, the Floating Signifier

Stuart Hall – The Spectre of Marxism

Intervistë me Stuart Hall, realizuar në 2006 (36 minuta)