Njerëzit duan më shumë qentë, se njerëzit e tjerë

Dihet tashmë që qentë janë ndër kafshët më besnike dhe ndërtojnë një raport shumë të fortë, sidomos me të zotët e tyre.

Fun

05/12/2017 22:19

Madje aq larg ka shkuar besnikëria dhe dashuria e tyre, saqë në disa raste të raportuara qentë kanë ndenjur pa ngrënë që të ngordhin pas vdekjes së të zotëve, pikërisht për shkak të mungesës që ndjenin për ta.

Mirëpo, me sa duket, kjo dashuri e madhe nuk është e njëanshme. Dy studime shkencore të raportuara së fundmi, kanë vërtetuar se njerëzit duan më shumë qentë se sa disa njerëz rreth vetes, madje ndiejnë më shumë empati për ta, se sa për njerëzit.

Në studimin e Society & Animals, rreth 240 studentëve vullnetarë iu dha nga një gazetë me katër lajme kryesore, të cilat flisnin për vrasje. Ata nuk e dinin qëllimin e studimit, shkruan bota.al. Në lajmin e parë trajtohej vrasja e një fëmijë, në të dytin e një të rrituri, në të tretin vrasja e një qeni të moshuar dhe në të fundin vrasja e një qeni të vogël me një shkop bejsbolli.

Nivelet e empatisë që u panë tek studentët ishin të njëjta për të dy qentë dhe për fëmijën e vogël. Ndërkohë në një provë të dytë me vrasje më makabre, ishin qentë që shkaktonin më shumë dhimbje psikologjike tek studentët vullnetarë.

“Subjektet nuk i shihnin qentë si kafshë, por si njerëz dhe shpreheshin për ta, njësoj siç mund të shprehesh kur të vdes një person i afërt”, tha një nga personat që e ndërmori studimin.

Ndërkohë muajin e kaluar, një tjetër studim i publikuar nga Scientific Reports, tha se qentë janë shumë të kujdesshëm me shprehitë e tyre të fytyrës, kur shohin të zotët e tyre. Kjo do të thotë që disa shprehje të fytyrës, qentë i ruajnë vetëm për familjen që kujdeset për ta dhe për asnjë tjetër./klankosova/