Një Yll për Kosovën

Kosovës do t’i shtohet një yll. Talenti i Bayern Munichut, Ylli Sallahi, do të jetë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në të ardhmen. Me 19 vjeçarin, ekipi i Albert Bunjakut do të pasurohet shumë.

Sport

12/05/2014 12:04

Albert Bunjaku, Samir Ujkani e Loret Sadiku ishin ardhjet më të mëdha në ndeshjen e parë miqësore të Përfaqësueses së Kosovës ndaj Haitit (0:0).

Por, gjasat janë të mëdha që një risi e re dhe shumë e madhe ta karakterizojë skuadrën shtetërore në dy ndeshjet e radhës miqësore që do t’i zhvillojë gjatë këtij muaji kundër Turqisë e Senegalit.

Ylli Sallahi mund të jetë ardhje e re dhe shumë e madhe në skuadrën e Albert Bunjakut, gjë që e konfirmon edhe vet përzgjedhësi.

Futbollisti i ri dhe shumë i talentuar i Bayern Munichut qe një kohë është në kontakte të vazhdueshme me seleksionuesin, Albert Bunjaku.

Ky i fundit ia ka hapur dyert 19-vjeçarit me pasaportë të Austrisë, ndërsa ka mbetur që brenda pak ditëve Sallahi t’i japë një përgjigje Bunjakut.

Në fakt, Sallahi është i disponuar për të debutuar me Përfaqësuesen e Kosovës, por ardhjen e tij e ka vënë në pikëpyetje vetëm një lëndim që e ka pësuar para pak kohësh futbollisti, i cili kohëve të fundit po konsiderohet si një pasuri e madhe për të ardhmen e gjigantit gjerman, për të cilin luan edhe Xherdan Shaqiri.

“Shpresoj që ai të mundë të përgjigjet pozitivisht dhe të vijë për të luajtur në këto dy ndeshje”, ka dhënë Bunjaku për ‘Zëri’.

Edhe në rast se Sallahi nuk do të mund t’i bashkohet Kosovës në dy ndeshjet e majit, ai do të jetë edhe në të ardhmen në planet e Bunjakut.