Një vit nga vrasja e Ivanoviqit, Serbia nuk i jep provat e duhura Kosovës

Po bëhen një vit që nga vrasja e liderit serb, Oliver Ivanoviq, dhe akoma nuk është zbardhur rasti, përderisa Serbia vazhdon të mos i ofrojë provat e duhura Kosovës.

Lajme

15/01/2019 16:28

Ish-udhëheqësi i Nismës qytetare serbe “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviq, më 16 janar të vitit 2018 ishte vrarë në hyrje të zyrës së partisë, raporton lajmi.net.

Ivanoviq ishte qëlluar me katër plumba në gjoks teksa ishte duke hyrë në zyrën e partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.

Që nga ajo kohë e deri më tani ende nuk është gjetur autori i këtij krimi.

Policia e Kosovës deri më tani ka arrestuar tre persona si të dyshuar në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Nedeljko Spasojeviq, Dragisha Markoviq dhe Marko Rosiq janë në paraburgim si të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Ndërkaq, nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, është shpallur në kërkim pasi që ai është arratisur nga Kosova.

Ministria e Brendshme e Serbisë kishte thënë se me kërkesë të Prokurorisë për Krim të Organizuar, ka intervistuar Milan Radojiçiqin, në lidhje me njohuritë e tij për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

“Policia ka marrë deklaratë nga M.R. në përputhje me kërkesën për të mbledhur informacionet e nevojshme për hetimet e vrasjes së udhëheqësit të Iniciativës qytetare Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, thuhej në njoftimin e MPB-së së Serbisë.

Vetë Radojiçiq, pasi që kishte shkuar në Beograd kishte deklaruar se ishte plotësisht i pafajshëm, madje ai i kishte ofruar edhe pamje medieve të momentit kur njësia Speciale e Policisë së Kosovës kishte bastisur shtëpinë e tij.

Në anën tjetër prokurori Special, Sylë Hoxha, ka thënë për lajmi.net, se që një vit Prokuroria Speciale e Kosovës është duke punuar intensivisht në zbardhjen e këtij rasti.

“Hetimet janë në vazhdim e sipër. Ju e dini se i kemi tre të arrestuar në paraburgim, për Milan Radojiçiqin i kemi hapur hetimet por ai është në kërkim e sipër, ka qenë i paarritshëm. Ne jemi duke grumbulluar prova, duke gjetur dëshmitarë edhe prova të tjera. Ne jemi shumë të interesuar që ta zbulojmë këtë rast me i vërtetu provat. Kemi bërë maksimumin edhe pa pushuar pothuajse asnjë ditë nuk rrimë kot dhe do me thanë nuk ka ngelur asgjë pa u punu në këtë drejtim, kuptohet së bashku me hetuesit”, ka deklaruar Hoxha për lajmi.net.

Tutje Hoxha ka thënë se pala serbe ka ofruar disa prova mirëpo, jo prova të cilat do t’i ndihmonin Prokurorisë në zbardhjen e rastit.

“Ata na kanë ofrua diçka, kemi pranuar, por e kam dërguar në përkthim sepse ka edhe në gjuhën serbe edhe në gjuhën angleze. Diçka kanë dërguar por jo ndonjë dokument ku me ditë se çfarë. Ne sigurisht se do t’i vlerësojmë ato, por jo ashtu të mjaftueshme”, ka treguar Hoxha.

Sipas tij, provat në të cilat ka qasje vetëm Serbia, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk i ka dhe në këtë mënyrë sipas tij, Kosova është e varur nga bashkëpunimi juridik ndërkombëtar nga Republika e Serbisë.

Ai thotë se disa pamje dhe prova nga vendi i ngjarjes i posedon Prokuroria mirëpo, siç theksoi ai, publikimi i pamjeve të ndryshme nga vendi i ngjarjes mediat serbe i bëjnë vetëm për pompozitet.

Hoxha ka thënë se po të donte Serbia ta ndihmonte Kosovën do t’i ofronte provat e kërkuara në të cilat siç tha ai, nuk ka qasje Prokuroria.

“Për me dashtë e me na ndihmua ata duhet të na ndihmojnë e të na dërgojnë ndonjë provë të cilën e kemi kërkuar apo e cila është më se e nevojshme për hetim siç janë bisedat, hyrje-daljet nga telefoni i viktimës, telefonat e të dyshuarve, e shumë raste të tjera. Ne kemi probleme sepse ju e dini që ne veri funksionon Telekomi i Serbisë, kështu që shumë prova ne nuk kemi mundur që t’i sigurojmë dhe jemi të varur nga bashkëpunimi juridik ndërkombëtar nga Republika e Serbisë. Sepse vetëm ata mund të na sigurojnë disa prova”, ka deklaruar Hoxha për lajmi.net.

Ndryshe tash e një vit, shteti i Serbisë në vazhdimësi është duke e akuzuar Kosovën për mosbashkëpunim në rastin e Ivanoviqit. V.H /Lajmi.net/