Një vit nga fillimi i procesit gjyqësor “Lagja e Trimave”

Pas më shumë se një viti nga fillimi i procesit gjyqësor lidhur me “Lagjen e Trimave” janë zhvilluar 52 seanca gjyqësore në bazë të cilave Prokuroria akoma nuk ka prezantuar dëshmi për veprën penale: terrorizëm.

Lajme

12/02/2017 18:44

Në bazë të palës mbrojtëse, gjatë këtij viti çdo pjesëtar i Grupit të Kumanovës është përballur me dhunë të ushtruar, fshehje të provave dhe pengesa të ndryshme në procesin gjyqësor.

“Pothuajse të gjithë pjesëtarët e grupit kanë pas lëndime fizike torturë fizike dhe ne si palë ,mbrojtëse kemi reaguar në çdo institucion. Kemi pasur probleme me prokurorinë por edhe sot kemi pasur probleme ku vetë prokuroria ka bërë një selektim dhe kemi telefonata ku ndërpritet telefonata dhe nuk përfundohet deri më fund”, ka thënë avokati Naser Raufi, shkruan Alsat M.

Avokati edhe më tej pretendon se Prokuroria Publike deri më tani nuk ka marrë asnjë masë lidhur me dhunën e ushtruar ndaj të akuzuarve.

“Janë bërë 10 muaj që janë ngritur padi për keqpërdorim të detyrës zyrtare konkretisht ndaj njësisë speciale të policisë ku deri më sot nuk kemi asnjë informatë që nuk mund ti zëmë as serioze gjoja se nuk mund ti gjejnë ata persona që kanë tejkaluar kompetencat në detyrën zyrtare dhe kanë maltretuar pjesëtarëve e grupit të Kumanovës”, pati deklaruar avokati Mefalil Arsllani më 21 dhjetor të vitit të kaluar.

Familjaret reaguan ndaj dhunës që ushtrohet ndaj të akuzuarve.

“Me këtë çka i akuzojnë nuk është e drejtë, këta nuk janë terroristë, ne e dimë se çka do të thotë terroristë, por nuk presim diçka të mirë prej këtyre. Me ne po sillen shumë keq këta polic, tash i thash një polici çka po ta çoj mallin unë, nuk jam i burgosur. As deri në VC nuk na lënë të shkojmë” , është shprehur Muhamet Elshani, familjar i Fadil Elshanit.

Në procesin gjyqësor për “Lagjen e Trimave” janë të akuzuar 37 persona nga të cilët 29 janë arrestuar në lagjen e trimave me 9 dhe 10 maj të vitit 2015 , ndërsa 8 më pas, të akuzuar si persona që i kanë dhënë ndihmë logjistike grupit të armatosur në Kumanovë.