Një tjetër objekt nën eskavatorin e Shpendit

Rrënimi i radhës nga Shpendi Ahmeti është objekti në ndërtim e sipër në lagjen Kolovicë. Pronari ka marrë leje me 27 qershor për ndërtimin e dy shtëpive, por ka tejkaluar lejen duke dalë në ilegalitet. Kjo është hera e dytë që e njëjta ndërtesë po rrënohet.

Lajme

23/01/2014 13:49

Komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria e Inspeksionit, po vazhdon të rrënojë ndërtimet pa leje nëpër qytetin e Prishtinës. Shtyllat e hekurta e të betonuara dolën të jenë më të dobëta karshi eskavatorit të Komunës.

Pronari i objektit u duk vetëm atëherë kur gjithçka ishte rrënuar.

Leja ishte që të ndërtoheshin dy shtëpi në po të njëjtin vend, me planin B+B+1, që i bie një bodrum, kati i parë, dhe një kat mbi.

Por, kjo ndërtesë, siç pohojnë zyrtarë të Komunës së Prishtinës, kishte tejkaluar lejen e marrë nga Komuna, duke dalë disa metra jashtë saj.

Zëdhënësi i Komunës, Adonis Tahiri, tregon se ndërtesa në fjalë u rrënua sot për herë të dytë.

“Pala me 27 qershor të vitit 2012 e ka pranuar aktvendimin që t’i pezullojë punimet menjëherë në këtë zonë, për shkak se është tejkaluar leja.”

“Meqë nuk e ka respektuar këtë aktvendim, ka ardhur vendimi tjetër më 12.07.2012 për rrënim të menjëhershëm. Pasi pala nuk e ka zbatuar as këtë vendim më 18.07.2012, Inspektoriati i Komunës ka bërë ekzekutimin e vendimit me ç’rast është rrënuar objekti”.

“Çfarë ka ndodhur tash, më datën 20 janar 2014, Inspektoriati ka dalë në terren dhe ka konstatuar se pala ka filluar të ndërtojë sërish në të njëjtën formë duke e tejkaluar lejen”.

“E kemi procesverbalin të 21 janarit të viti 2014 të nënshkruar edhe nga pala edhe nga inspektorët. Proceverbal ky që urdhëron palën që menjëherë t’i ndërpresë punimet dhe ta kthejë hapësirën në gjendjen e mëparshme”.

“Meqë kjo nuk ka ndodhur, ne jemi sot këtu që t’i kryejmë obligimet tona konform ligjit”, ka deklaruar Zëdhënësi Adonis Tahiri.

Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net

 

Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net

 

Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net