Një tablo e shkurtër kushtuar Familjes Kastrioti

"Deri më sot asnjë studiues serioz nuk e konteston origjinën arbërore të tyre (përveç ndonjë përpjekjeje që ka ardhur nga përfaqësuesit e nacionalizmit ekstrem serb të kapërcyellit të shek. XIX dhe fillimeve të shek. XX, si, bie fjala Balkanicus, Gopčević, Vl. Dorđević, e ndonjë tjetër, të cilët siç shprehet studiuesja serbe, O. Milosavljević (2008), kanë riprodhuar vetëm teza stereotipe".

Opinion

17/01/2017 16:21

Shkruan: Jahja Drançolli

Një tablo e shkurtër kushtuar Familjes Kastrioti në shenjë të Përkujtimit të 550-vjetorit (sipas kalendarit venedikas), respektivisht 549 – vjetorit (sipas kalendarit gregorian) të vdekjës së Gjergj Kastrioti – Skënderbeut.

Prijësit e familjes Kastrioti qenë protagonistët kryesorë në ngjarjet, që kishin përfshirë Arbërinë, dhe në këtë kontekst edhe Kosovën (si pjesë të Arbërisë) nga kapërcyelli i shek. XIV dhe përgjatë gjithë shek. XV. Të dhënat e drejtpërdrejta provojnë se, atëbotë, faktori politik shtetëror arbëror i ka dhënë mundësi edhe popullatës arbërore të Kosovës të afirmonte vetëdijën e bashkësisë së gjuhës, të kulturës dhe të territorit në kuadrin e një shteti relativisht të gjerë arbëror, ç’ prej bregdetit malazias të sotëm e deri në Novobërdë, dhe prej Himare e deri në Kostur.

Kastriotët njihen për familje bujare e princërore me origjinë arbërore e dokumentuar për herë të parë në vitin 1368. Në mungesë të burimeve relevante zyrtare, edhe sot diskutohet për vendlindjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, përkatësisht për vendlindjen e origjinës së familjes Kastrioti. Sipas kryeveprës së Barlecit, kushtuar jetës dhe veprave të Skënderbeut, origjinën e Kastriotëve duhet kërkuar në regjionin e Matit (“krerët re fisit të Kastriotëve kanë rrjedhur nga Emati”). Ndërsa, historiani raguzan me origjinë arbërore, Jak Lukari, një kromnist raguzan me origjinë arbërore, në veprën e tij, Analet e Raguzës (Copioso Ristretto degli annali di Rausa/Ragusa, Venezia: 1605), shkruante se, familja e Gjon Kastrirotit ka dalë nga “Kastrati, fshat në juridiksionin e HAS-it në Arbëri, pak larg nga lumi Drin” (“Castrati villa nella giurisdizione in As in Albania, poco discosto dal fiume Drilon”).

Kjo dëshmi për origjinën Hasiane të familjës Kastrioti provohet tërësisht edhe nga Frang Bardhi në veprën e tij kushtuar Skënderbeut (1636), si edhe nga një manuskript (rreth shek. XVI) të publikuar në vitin 1892 nga studiuesi P. Eusebius Fermendžin; aty thuhet: “Kastrioiqët e Kastriotit ishin nga provinca HAS-i në Epir” (“Castrioich de Castrioti in provincia Az in Epiro”). Në favor të kësaj shkon edhe njoftimi se emri i tyre vjetër ka dalë nga fshati Mazrek i Hasit, ku përveç këtij fshati në këtë regjion zotëronin edhe fshatra të tjera, si Kostur dhe Ujmishte (Vumestje). Janë ruajtur edhe burime të tjera që e kundërshtojnë tezën e prejardhjes Hasianë të Kastriotëve. Ndonjë historian (i djeshëm dhe i sotëm), duke u mbështetur në burime dytësore, origjinën e Kastriotëve e kërkon në DIBËR, KANINË (Vlorë) ose në MIRDITË.
Ashtu siç ndodhë zakonisht në gjenealogji me familje të mëdha, është derdhur shumë ngjyrë për ta përvetësuar origjinën e familjes Kastrioti. Megjithatë, deri më sot asnjë studiues serioz nuk e konteston origjinën arbërore të tyre (përveç ndonjë përpjekjeje që ka ardhur nga përfaqësuesit e nacionalizmit ekstrem serb të kapërcyellit të shek. XIX dhe fillimeve të shek. XX, si, bie fjala Balkanicus, Gopčević, Vl. Dorđević, e ndonjë tjetër, të cilët siç shprehet studiuesja serbe, O. Milosavljević (2008), kanë riprodhuar vetëm teza stereotipe: “The thesis that Skanderbeg was a Serb belonged at once to the stereotype of the Albanians’ Serb origins and to that of their inability to create a state […]”)
Sipas gjeneaologjive më të njohura të kohës, personaliteti i parë historik i kësaj familjeje është Pal Kastrioti (gjysma dytë e shek. XIV), gjyshi i Skënderbeut, i cili prej kohësh zotërone fshatrat Sinjë dhe Gardhi i Poshtëm, si dhe më vonë dy Dibrat. Sipas burimeve relevante zgjerimi dhe fuqizimi i familjës Kastrioti nga selia tyre në Krujë, do të realizohen, sidomos në kohën e Gjon Kastriotit (? – rreth 1438/43), si dhe të birit të tij, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut.

Në historinë dhe gjenealogjinë e shtëpisë së Muzakajve, të shkruar nga Gjon Muzaka (më 1512), despot i Epirit, si dhe nga biografët e tjerë thuhet se, Kastriotët i takonin elitës së familjeve më të respektuara të Arbërisë e të Epirit.
Biri i Palit, Gjon Kastrioti diku rreth vitit 1400 u bë zot i Krujës. Nga një marrëveshje tregtare-doganore me Republikën e Raguzës (1420), ishin përcaktuar edhe kufijtë e Kastriotëve ç’prej Shfadaje në jug të Lezhës deri në Prizren. Në vitin 1426, Gjoni dhe katër bijtë e tij, i dhuruan dy fshatra Manastirit të Hilandarit. Dhurimi i fshtrave ishte shprehje diplomatike e një princi ambicioz, i cili duke bërë një sakrificë pronësore llogariste, që së bashku me fëmijët e tij do të hynte në zemër të despotit dhe kishës ortodokse serbe, për ti pasur aleatë në luftëra kundër armiqëve të përbashkët.
Gjon Kastrioti dispononte një ushtri prej 2.000 kalorësve, si dhe gëzonte të drejtën e qytetarisë venedikase (1413); luftërat kundër osmanëve i kishte nisur që nga viti 1388/1389. Përkundër përpjekjeve të Gjon Kastriotit për të formuar një aleancë me Republikën e Venedikut, dhe pas rënies së Krujës nën osmanët (1415), ai qe detyruar t’i dërgonte bijtë e tij peng në oborrin e sulltanit. Çështja se kur u mor peng Skënderbeu, në historiografi përgjithësishtë ka disa pasaktësi; 9 vjeçar ose 18 vjeçar; dorëzimi ka mundur të ndodhë në vitin 1415 ose 1423.

Atje, Gjergji ishte konvertuar në musliman dhe mori emrin Skënder (nga Aleksandër), si dhe u edukua në shkollën e iç-ogllanëve. Në kushte të reja, ai qe i detyruar të merrte pjesë në fushata ushtarake kundër të krishterëve, për ç’arsye babai tij ishte detyruar të kërkonte falje nga Senatit i Venedikut (1428). Për veprat e tij ushtarake, ai qe nderuar me titullin bej, dhe kështu emri Skënderbej (Scanderbeg), do të bëhej i njohur në gjithë botën.
Rreth vitit 1430 do të pranojë pushtetin e Sulltan Muratit II. Atëherë, mbi pjesën më të madhe të pronave të Gjonit do të vendosët administrata osmane e quajtur Sanxhaku Arvanid (1431/32); në pjesët e mbetura të tokave të veta ku nuk mund të depërtonin osmanët, edhe pse kishte pranuar vasalitetin, Gjoni do të mbetet edhe më tej zot i tyre. Mirëpo, gjatë viteve 1432-/35 kur në Arbëri kishin shpërthyer kryengritjet e mëdha, ka të ngjarë se Gjoni, i kishte mbetur besnik sulltanit. Në gjendje të palakmueshme nën osmanët, Gjoni do ti kthehet Republikës së Venedikut e të Raguzës ku përgaditej të bënte kthesë politike; nga marrëdhëniet e tia me Raguzën e Venedikun janë ruajtur disa burime zyrtare: një prej tyre, që mban vulën e 10 korrikut 1439, bën fjalë për shpalljen e djemëve të Gjonit për “qytetarë” të Raguzës.

Gjon Kastrioti ishte martuar me Vojsavën (nuk është ruajtur asnjë njoftim për datën e vdekjës së saj), vajzë e kryezotit të Pollogut (ose një vajzë nga dera e familjës princore Balshaj), me të cilën pati katër djem: Reposiae ose Caragusis (i quajtur kështu sipas dokumenteve latine; ishte murg në Manastirin e Hilandarit, vdiq më 1431), Stanisiae (i quajtur kështu sipas dokumenteve latine, vdiq më 1455?), Kostandini (më 1439 mori të drejtën e qytetarit të Raguzës), dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Fëmijtë e Skënderbeut ishin Gjoni II (1454 – pas 1502) dhe Vojsava. Gjoni II, pas vdekjës së Skënderbeut (1468), qytetin e Krujës, iu kishte dhënë venedikasëve, dhe së bashku me nënën, Donika Kastrioti, bijë e Gjergj Arianit Komnenit (e martuar më Skënderbeun, 1451), ishin vendosur në feudet e Kastriotëve në Gargano të mbretërisë së Napolit (1474). Kishte tre fëmijë: Kostantini, Ferrante dhe Gjergji II Kastrioti i quajtur, Skënderbeu i Ri (1476-?), i cili doli në skenën historike gjatë kryengritjejës së vitit 1499, që kishte rezultuar me sukses. Pasardhësit e Gjonit II Kastrioti u shuan në brezin e dytë. E fundit, që i përkiste kësaj dinastie me siguri ishte princesha e Shën Pjetrit, Irena, bija e princ Ferrantit, e martuar me Pietrantonio Sanseverino (1539), princ nga Bisignano.

Një hartë që paqyron shtegëtimet dhe ngulitjet arbrërore në shek. XIV-XVIII!

drancolli