Një shkollë në Berlin merr emrin e shqiptarit, për veprën e tij të guximshme

Më 8 tetor, një shkollë gjermane në Berlin edhe zyrtarisht do të emërtohet "Refik Veseli" në nderim të shqiptarit me këtë emër, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte shpëtuar një familje hebreje.

Lajme

30/09/2014 10:58

Veseli, si një djalë i ri, duke rrezikuar veten dhe familjen e tij, e kishte strehuar familjen hebreje e cila mund të deportohej në kampet naziste të përqendrimit.

Refik Veseli për veprën e tij të guximshme është nderuar nga muzeu i holokaustit “Yad Vashem” me titullin “I drejti në mes të popujve”.

Nxënësit e shkollës sekondare (shkolla fillore, cikli i lartë), me rastin e një vizite para disa vitesh në Yad Vashem kishin hasur në emrin e Refik Veselit, shkruan berlinerwoche.de, transmeton albinfo.ch.

“Me t`u kthyer, ata propozuan që shkolla e tyre të merrte emrin e përmendur . Në votimin që pasoi, ky emër fitoi shumicën. Arsyetimi për këtë propozim ishte: Refik Veseli me angazhimin e tij ka treguar një shembull për humanitetin që nuk varet nga raca ose religjion”, shkruan berlinerwoche.de.

Për ditën e pagëzimit të shkollës janë ftuar edhe familjarët e Refik Veselit, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2000.

Me këtë rast do të jepet edhe shfaqja me titullin “Fndet Refik” (Gjejeni Refikun).

Shkolla e cila e merr emrin e ri gjendet në lagjen “problematike” Kreuzberg të Berlinit, ku janë përqendruar më shumë të huajt.

 Edhe vetë shkolla e vuan imazhin e një shkolle problematike, ndërsa emërtimi i saj i ri hyn në mesin e masave që kjo shkollë po merr për përmirësimin e imazhit.