Një re sahariane mbulon Britaninë e Madhe

Qeveria britanike i ka paralajmëruar njerëzit me probleme të frymëmarrjes që t’i shmangin sa më shumë daljet nëpër rrugë, pasi një re gjigante sahariane prej rëre ka mbuluar Britaninë e Madhe.

Bota

02/04/2014 11:02

Nivelet e ndotjes mund të jenë aq të mëdha sa të shkaktojnë probleme të frymëmarrjes tek njerëzit në disa pjesë të vendit.

Ndotja e ajrit do të arrijë nivelin maksimal në disa zona, për shkak të pluhurit që ka ardhur nga shkretëtira afrikane, Sahara, pluhur ky i përzier me ndotjen lokale dhe ajrin toksik nga Evropa, raporton KosovaPress.

Britanikët janë paralajmëruar se mund të vuajnë nga probleme të frymëmarrjes, sidomos ata që jetojnë në pjesët e Bregut Lindor, Midlendit dhe Uellsit Jugor, të cilat janë ndikuar më tepër.

Në shumë pjesët të vendit, nivelet e ndotjes mund të jenë aq të larta sa të shkaktojnë probleme edhe tek njerëzit e shëndetshëm.

Njerëzit e prekur këshillohen që të reduktojë ushtrimet që bëjnë jashtë shtëpisë, veçanërisht nëse fillojnë të vuajnë nga kolla ose dhimbja e fytit.

Të rriturit dhe fëmijët me probleme të zemrës, të mushkërive dhe pensionistët duhet të shmangin aktivitetet e rënda, sipas mjekëve.

Asmatikët janë paralajmëruar se mund të vuajnë kriza dhe ekspertët thonë se ata duhet t’i përdorin pajisjet e frymëmarrjes më shpesh për disa ditë rresht.