Një person i kthyer nga haxhillëku, dyshohet të jetë infektuar me Ebola

Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Dardania në Prishtinë, mbrëmë është paraqitur një person, që sipas mjekëve kujdestarë, ka simptoma të virusit vdekjeprurës Ebola. 

Lajme

17/10/2014 10:31

Siç raporton Klan Kosova, prezenca e virusit nuk është konfirmuar sepse nuk janë bërë ende analizat e duhura, por sipas mjekëve, personi i sëmur i kishte simptomat e këtij virusi.

Po ashtu, Klan Kosova, personi në fjalë mund ta ketë marrë këtë virus gjatë qëndrimit në Haxh, aty ku ditë më parë morën pjesë rreth dy milionë njerëz në pelegrinazhin e përvitshëm.

Në këtë pelegrinazh, në Mekë të Arabisë Saudite, ishin të pranishëm edhe mijëra myslimanë nga Afrika Perëndimore, aty ku në fillim të vitit shpërtheu virusi Ebola dhe deri më tani u ka marrë jetën më shumë se 4000 personave, ndërsa rreth 10 mijë të tjetër llogaritet të jenë të infektuar.

Shumë shtete nga ku kanë shkuar pelegrinët për në Haxh, u është bërë kontrollimi mjekësor me tu kthyer në vendlindje. Egjipti, shembull, përveç pelegrinëve të vet, ka kontrolluar edhe të gjithë pelegrinët tjerë dhe udhëtarët e zakonshëm që kalojnë transit nëpër këtë shtet, nga Afrika Perëndimore në Lindje të Mesme dhe anasjelltas.

Edhe Arabia Saudite u ka bërë kontroll për praninë e mundshme të virusit shumicës së besimtarëve të ardhur për Haxh nga Afrika Perëndimore, por numri i shumtë i tyre i ka detyruar autoritetet shëndetësore saudite ta përshpejtojë procesin.

Pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi rrezikun nga përhapja e virusit Ebola dhe shpalli “gjendje emergjente”, kryeministri i Kosovë, ministri i Shëndetësisë dhe ai i Punëve të Brendshme kanë pasur një takim ku është biseduar për këtë virus.

Përmes një komunikate është thënë se është marrë vendim për të ngritur një Grup të posaçëm ndërministrorë për marrjen e masave të nevojshme në parandalimin e përhapjes së mundshme të virusit Ebola, por më pas nuk ka pasur të dhëna se cfarë është bërë në këtë drejtim.