Një nga kriteret e UP-së bie ndesh me legjislacionin, sipas Avokatit të Popullit

Avokati i popullit ka vlerësuar se kriteri i Universitetit të Prishtinës për zgjedhjen e personelit akademik në fakultetet e UP-së nuk është në pajtim me ligjin.

Lajme

23/08/2018 13:53

Në komunikatën për media, thuhet që ky kriter madje është diskriminues për kandidatët që i kanë mbaruar studimet jashtë vendit, të cilëve u parandalohet aplikimi dhe pjesëmarrja në konkurs.

“Duke marrë parasysh kriterin e parashikuar në konkursin e datës 27 prill 2018, për zgjedhjen e personelit akademik në fakultetet e Universitetit Publik të Prishtinës “Hasan Prishtina” ,  i cili  përcakton që “kandidatët që i kanë mbaruar studimet jashtë vendit duhet të sjellin  edhe vendimin për nostrifikim (barasvlerën) e diplomës përkatëse (bachelor, master, magjistraturë, doktoratë) dhe se nuk do të merret në konsideratë dëshmia e aplikimit për nostrifikim”, Avokati i Popullit paraqet këtë Opinion, i cili  ka për qëllim të tërheq vëmendjen e UP që kriteri i lartcekur në konkursin për zgjedhjen e personelit akademik në fakultetet e UP, të datës 27 prill 2018, nuk është në pajtim me legjislacionin në fuqi, shkel parimin e barazisë  dhe drejtat e tjera në lidhje me procedurën e rekrutimit të personelit akademik në UP, dhe si i tillë, ky kriter është diskriminues për kandidatët që kanë mbaruar studimet jashtë vendit, duke parandaluar kështu aplikimin e tyre, përkatësisht pjesëmarrjen e tyre në konkurs”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.