Një muaj paraburgim për pengimin e eskortës së Kryeprokurorit të Shtetit

Gjykata Themelore në Prizren vendosi që të pandehurve R. dhe F. Mavraj, nga Prishtina, t’ua caktojë masën e paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, ndërsa i pandehuri R. Mavraj edhe për veprën penale “kanosje”.

Lajme

16/03/2015 18:05

“Të pandehurit R. dhe F. Mavraj do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, që llogaritet nga data 13 mars, në orën 17:00, dhe do të zgjasë deri më 13 prill”, tha zëdhënësja e Gjykatës Afërdita Kicaj.

Të  pandehurit dyshohen për shkelje të Kodit Penal se më datën 13 mars, rreth orës 14:00, në autostradë, rreth 3 kilometra pa arritur në pikën kufitare Vërmicë, në bashkëveprim me kanosje serioze penguan personat zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare.

“Derisa zyrtarët policorë – të dëmtuarit B. Bytyqi, Y. Bytyqi dhe T. Zeka, ishin në detyrë të përcjelljes së kryeprokurorit të shtetit, Sylë Hoxha, të pandehurit me automjetin e tyre të markës “BMË X5”, disa herë kanë hyrë në tejkalim të automjeteve zyrtare, kurse më pas, megjithë urdhrin e zyrtarëve policorë që të ndalen dhe të hapin derën e automjetit, ata janë ndalur por menjëherë janë nisur me vrull të madh, duke rrezikuar dhe penguar zyrtarët policorë”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prizrenit. /kallxo.com/