Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e djeshme në Ferizaj

Gjykata e Ferizajt ka vendosur që të dyshuarit për vrasjen e djeshme në Ferizaj t’i caktojë masën prej 30 ditësh paraburgim.

Lajme

21/02/2019 16:50

Kjo është bërë e ditur në komunikatën dërguar mediave nga kjo Gjykatë, raporton lajmi.net.

“Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji, ndaj të miturit Sh.R. për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftim.

“I mituri dyshohet se më 20 shkurt 2019 në Ferizaj, për motive të ulëta nga hakmarrja e paskrupullt, me dashe, në mënyrë dinake ka privuar nga jeta tani të ndjerin M.A, në atë mënyrë që i ofrohet nga mbrapa dhe e qëllon me revole një herë në kokë dhe dy herë në shpinë dhe pasi i ndjeri rrëzohet në tokë, i mituri largohet nga aty, me ç’rast tani i ndjeri M.A ndërron jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për të Mitur, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të miturit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditëve”, përfundon njoftimi. /Lajmi.net/