Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve si pjesë e “Syrit të Popullit”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës mbi caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve R.S. dhe S.B në kohëzgjatje prej një muaji, thuhet në kumtesën e Gjykatës.

Lajme

27/05/2017 19:38

“Gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi se me dt.03.01.2017, në shtëpinë e të pandehurit R.S është mbajtur mbledhje ku është planifikuar dhe është shpalosur programi i organizatës kriminale “Syri i Popullit” për organizimin në sulmet ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë, aktual si dhe ndaj ish udhëheqësve të mëhershëm shtetëror.

Po ashtu i pandehuri R.S në faqet sociale Facebook, ka postuar foto me të akuzuarin M.J dhe ka shumë publikime ku shkruan për tradhtarët dhe thërret që të vritet tradhtia. Po ashtu është vërtetuar se takimet e organizatës “Syri i Popullit” janë mbajtur në shtëpinë e tij, ku përves tjerash edhe i akuzuari M.J ka mbajtur takime, ku edhe ka shpalosur programin e kësaj organizate. Me këtë dëshmohet se i dyshuari R.S është pjesëtar i kësaj organizate kriminale, e cila organizatë fshihet pas Lëvizjes për Ribashkim Kombëtar të Kosovës, kryetar i së cilës është vet i dyshuari R.S.

Sipas Gjykatës ekziston dyshimi se edhe i pandehuri S.B është anëtar i organizatës kriminale “Syri i Popullit”, kjo shihet nga aktiviteti dhe shoqërimi i tij me anëtarë të kësaj organizate.

Me këto veprime dyshohet se të pandehurit R.S dhe S.B kanë kryer veprën penale Vrasja e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës nga neni 126 par.1 lidhur me nenin 34 par.1 të KPK, dhe Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par.1 dhe 2 të KPK.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën së Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftim.