Një litër naftë duhet të kushtojë 85 centë

Një litër naftë në tregun ndërkombëtar sot kushton 0.28 euro. I njëjti litër, vetëm gjashtë muaj më parë kushtonte plot 0.61 euro.  

Lajme

05/01/2015 17:58

Sipas ekspertit të ekonomisë, Lumir Abdixhiku, çmimi real, pas tatimeve, i një litri naftë në Kosovë do të duhej të ishte rreth 85 centë, aq sa është në Maqedoni. Abdixhiku thotë se Qeveria dhe Ministria e Tregtisë duhet të hetojnë për marrëveshje të fshehta të tregtarëve të naftës, të cilët ende po i mbajnë të larta çmimet e derivateve të naftës

Në një intervistë dhënë gazetës Express, Abdixhiku thotë se fillimisht Qeveria e Kosovës duhet të shikojë mundësinë e ndryshimit shkallës së akcizës në naftë. Sepse sot kosovarët paguajnë plot 0.35 euro akcizë fikse për secilin litër nafte që blejnë. Në çmimin e tanishëm të naftës, i bie se për një litër naftë ne paguajmë plot 125% akcizë. Përveç kësaj, kosovarët paguajnë edhe 16% taksë TVSH. Pra ka një kosto të pakuptimtë dhe të rënduar mbi kosovarët nga qeveria e tyre. Natyrshëm se uljet në akcizë do të kishin implikime buxhetore, por secila ulje e çmimit të naftës do të rriste aktivitetin ekonomik.