Një islamist në avion megjithë prangën elektronike

Një person i kategorizuar si islamist ka fluturuar megjithë prangën elektronike në këmbë pa asnjë pengesë nga Hamburgu në Athinë. Autoritetet gjermane megjithatë janë të lehtësuara, që ai u largua nga vendi.

Bota

19/11/2017 14:16

Një islamist, i cili mbante madje edhe një prangë elektronike në këmbë fluturon me avion nga Hamburgu në Athinë dhe më tej në Turqi pa u penguar prej policisë dhe kontrolleve. Sipas informacioneve të revistës “Der Spiegel” dhe radios Bayerischer Rundfunk, siriani Hussein Z. madje e kishte bërë të ditur udhëtimin tek autoritetet gjermane. Ai kërkonte të merrte kontakt me djalin e tij të sëmurë në rajonin kufitar siriano-turk.

Sipas revistës “Der Spiegel” policia nuk ka parë arsye bllokimi për udhëtimin e islamistit. Nga ana tjetër, Qendrës së Përgjimit të Landit dhe të Federatës i ra në sy largimi i tij, vetëm në momentin, kur nuk u dërgua më asnjë sinjal nga pranga eletronike. Kjo ka ndodhur në momentin e udhëtimit. Me zbritjen në Athinë merr fund edhe përgjimi i autoriteteve gjermane, sepse ligjërisht përgjimi jashtë nuk është i lejuar. Kështu sinjali u hoq.

Sipas medias Bayrische Rundfunk (BR) pranga elektronike ka lëshuar disa herë sinjal gjatë kontrollit në aeroport. Por policia federale nuk e ka parë këtë si problem. „Një prangë elektronike nuk paraqet rrezik për fluturimin. Nga ana tjetër, personi, sipas të drejtës në BE, nuk kontrollohet nga policia kufitare, sepse ai kaloi vetëm një kufi të brendshëm të BE-së.” Me fjalë të tjera, megjithëse autoritetet e shohin këtë person si të rrezikshëm, ai mund të fluturonte, si çdo pasagjer tjetër.

“Agresiv ndaj banorëve”

35-vjeçarit sirian që kishte ardhur në vitin 2015 në Gjermani i është njohur e drejta e azilit. Në qendrën strehimore të azilit në Ashafenburg ai ra në sy, sepse sillej me agresivitet nga azilantëve të tjerë. Në një prononcim të policisë thuhet se Husein Z. “ka rënë në sy për sjellje agresive, sulme ndaj personave me të cilët banonte si edhe kërcënime.”

Një nga masat përfundimtare të policisë ishte pranga elektronike. Kusht për prangën elektronike nuk është „rreziku konkret”, por „rreziku kërcënues”, shkruan presidiumi i policisë në Frankoninë Jugore. Por shtrohet pyetja, se çfarë kuptimi ka ajo, nëse mund t’i ikësh këtij kontrolli? Nga 700 rrezikues islamistë në Gjermani, vetëm dy kanë pranga elektronike në këmbë. Pra një numër i lehtë për t’u menaxhuar.

Elektronische Fußfessel (picture-alliance/dpa/F. von Erichsen)

Pa receta të përgjithshme

Për një kohë të gjatë prangat elektronike përdoreshin vetëm për të dënuarit për delikte seksuale. Nga vera e këtij viti ato përdoren edhe për rrezikuesit islamistë. Por landet duhet ta mundësojnë këtë edhe përmes ligjeve të tyre vendore për policinë. Holger Münch, presidenti i Zyrës Federale të Kriminalistikës thotë se „duhet urgjentisht një njësim i kuadrit ligjor për përgjimin e të ashtuquajturve rrezikues.” Nuk duhet që dikush të kalojë ngë një land në tjetrin, e në këtë mënyrë t’i ikë përgjimit. Oliver Malchow, kreu i sindikatës të policisë u shpreh para disa javësh për Deutsche Wellen skeptik për prangën elektronike në këmbë. Investimi është i madh vetëm për të lokalizuar rrezikuesit, por „një prangë elektronike në këmbë, nuk të ndihmon të gjesh se çfarë po bën personi dhe kë takon.”

Deutschland Holger Münch Präsident des Bundeskriminalamtes (picture-alliance/dpa/S. Stache)Holger Münch

Rasti i Husein Z. duket i veçantë. Por nëse policia Federale ka qenë e informuar, siç bëri të ditur zëdhënësja e saj për dpa, nëse Prokuroria e Përgjithshme sipas mediave heton për këtë njeri për anëtarësi në një organizatë terroriste, e autoritetet nuk ndërmorën asgjë për ta penguar udhëtimin e tij,- atëherë kjo të çon në përfundimin, se ato gëzohen që Husein Z. nuk është më në Gjermani. Michael Siefener, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Bavarisë u shpreh pa ekuivoke se „një rrezikues që largohet me dëshirë nga Gjermania, është një fitore në drejtim të sigurisë.” Nga ana tjetër „rrezikuesit ndërkohë iu hoq statusi i refugjatit, dhe iu ndalua rihyrja në Gjermani. Ai është i regjistruar në zonën e Shengenit si person që duhet të ndalohet, me synim dëbimin apo refuzimin e hyrjes në kufii, tha Siefener për Deutsche Wellen.”/DW