Një i plagosur në Prizren, arrestohen gjashtë persona

Një qytetar është plagosur mbrëmë, rreth orës 23:00, në rrugën “Tirana” në Prizren, dhe aktualisht po trajtohet në Spitalin Rajonal në Prizren njofton Drejtoria e Policisë Rajonale në Prizren.

Lajme

09/01/2015 11:24

“Janë shoqëruar gjashtë persona në polici për tu pyetur për ngjarjen. Pas intervistës, dy të dyshuar janë ndalur nën masën e arrestit policor. Po ashtu është bastisur një shtëpi dhe është sekuestruar një pistoletë e llojit TT pa fishek,” thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas hetimeve të para dyshohet se ngjarjes i ka paraprirë një rrahje e më hershme për të cilën policia nuk kishte pasur dijeni.

Sipas dëshmitarëve që e kanë parë ngjarjen, thuhet se dy vetura ishin duke lëvizur në kahe të njëjtë në rrugë, sakaq një i dyshuar, nga vetura ka shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës tjetër në të cilën ndodheshin katër persona.

Policia ka sekuestruar dy veturat e përdorura në rast. Në veturën e viktimave ishin vërehejtur vrimat e katër plumbave që kanë depërtuar në veturë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur shtatë gëzhoja të fishekëve./KosovaPress/