Një grup rebelësh kurdë merr përsipër atentatin në Ankara

Një grup pranë rebelëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), Fajkojtë e Lirisë së Krudistanit (TAK), morri përsipër atentatin me makinë bombë kundër një karvani ushtarak ku humbën jetën 28 persona të mërkurën në mbrëmje në qendër të Ankarasë.

Bota

19/02/2016 23:18

“Më 17 shkurt në mbrëmje, një sulm vetëvrasës u zhvillua në orën 18:30 në rrugët e Ankarasë nga një luftëtar kamikaz kundër një karvani me ushtarë të republikës fashiste turke”, pohoi ky grup në një deklaratë të publikuar në faqen e tij të internetit.

“Ky veprim u zhvillua për t’u hakmarrë për personat e pambrojtur të vrarë në bodrumet e Cizresë dhe për civilët tanë të plagosur”, thuhet në këtë deklaratë duke iu referuar qytetit në juglindje me maxhorancë kurde ku ushtria dhe policia turke zhvillojnë prej më shumë se dy muaj një operacion të përgjakshëm kundër luftëtarëve të PKK-së.

Në tekstin e tyre, TAK kanë publikuar gjithashtu fotot e një burri që ka lindur në vitin 1989 në Van (lindje), Zinar Raperin, i prezantuar si autori i sulmit në Ankara.