Një dënim i lehtë për gardianët

Nuk pati ndëshkim të fortë për gardianët që ishin në detyrë gjatë skandalit të 20 majit. 

Lajme

18/07/2014 09:29

Janë dënuar gardianët e Shërbimit Korrektues të cilët qëlluan në ndërrim të punës, kur ndodhi arratisja e Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës më 20 maj. Mirëpo, shpëtuan shumë lehtë, pasi që dënimi për njërin ka qenë transferimi në një vend pune tjetër, e tjetrit i është dhënë vetëm vërejte me shkrim.

Këta tre për tre ditë nuk u gjendën në QKU aty ku ishin për t’u shëruar.

Arratisja ka ndodhur pas vendimit të gjyqtarit të EULEX-it që të akuzuarit e “Grupit të Drenicës” të transferohen në burgun e Mitrovicës që gjenden në veri të këtij qyteti.

Gjatë këtyre tri ditëve, mbrojtja dhe familjarët e të akuzuarve mohuan arratisjen ndërsa Shërbimi Korrektues i Kosovës zyrtarisht ka pranuar se të akuzuarit janë në arrati.

Dorëzimi ndodhi vetëm pasi që Gjykata ndryshoi vendimin me të cilin Lushtaku, Haxha dhe Jashari të dërgohen në burgun e Dubravës.

Pas këtij skandali që ndodhi gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhje të jashtëzakonshme, u formua një komision për të shqyrtuar situatën e krijuar. (Tribuna)