Një delegacion i shoqërisë civile të Qipros viziton Kosovën

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka pritur sot një grup përfaqësuesish të botës akademike dhe shoqërisë civile të Qipros, i cili po qëndron për vizitë në Prishtinë, e të cilët i informoi për të arriturat e Kosovës si dhe sfidat në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Lajme

16/03/2015 17:38

Zëvendësministri Selimi vlerësoi se kjo vizitë e delegacionit të shoqërisë civile qipriote në Kosovë është e rëndësishme dhe se ky lloj shkëmbimi përbën thelbin e diplomacisë publike të Ministrisë së Jashtme dhe se do të nxisë interaksionin mes qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës me ata të vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Kjo vizitë  është organizuar në kuadër të projektit KSTalksEU, që synon rritjen e interaksionit në diplomaci publike, kulturore dhe parlamentare të institucioneve, aktivistëve dhe shoqërisë civile kosovare me shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.

Projekti KSTalksEU tashmë ka mundësuar shkëmbimin e mbi 150 diplomatëve, gazetarëve, aktivistëve dhe deputetëve nga Kosova dhe 5 shteteve të BE-së në dy vjet e gjysmë të fundit, ndërsa vitin e shkuar ka mundësuar dërgimin e një delegacioni të shoqërisë civile kosovare në Greqi dhe Rumani, kurse priten edhe vizita të tjera në këto shtete. (lajmi.net)