Një çamçakëz që forcon kujtesën

Ideja i lindi një studenti pas një aksidenti me makinë dhe po i njëjti person, e gjeti mënyrën sesi ta bënte realitet.

Lifestyle

04/10/2018 18:10

Gomës së përtypshme, i shtohen integratorë ushqimorë që ndihmojnë punën e trurit dhe kjo është e gjitha. Ideatori i start up-it të ngritur në Milano e që po shënon sukses është një 28 vjeçar, Giorgio Pautrie.

Pas përplasjes nga një makinë ai kishte pësuar dëmtime të shumta, por me vullnet iu rikthye librave që të përfundonte shkollën e lartë. Vetëm se kishte mjaft vështirësi, ndaj për të shtuar përqendrimin e forcuar kujtesën, përdorte integratorë, pije energjike e shumë kafe.

Por një mjek i tërhoqi vëmendjen duke i treguar se kombinime të tilla mund të ishin të rrezikshme dhe se duhet gjetur një formule e përshtatshme. Ai i kishte sugjeruar një përzierje prej rreth 15 përbërësish, që duhej mbajtur një minutë nën gjuhë.

“Kishte shije të tmerrshme”, kujton Giorgio, prandaj mbaja në gojë dhe një çamçakëz. Pikërisht këtu i lindi ideja e bashkimit të dy përbërësve, dhe efekti ishte i qartë: brenda një viti, dha 23 provime bashkë me tezën e diplomës, që normalisht duhet t’i mbyllte ne 2 vjet e gjysmë.

“Mind the gum” është realizuar praktikisht me produkte që nxisin memorien, por që ndihmohen ne aktivizimin e tyre edhe nga procesi i përtypjes.