Nitaj tregon si do të veprojë AAK-ja për Demarkacionin

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj duke komentuar paralajmërimin e koalicionit PDK-LDK që brenda pak ditësh do ta procedojnë në Kuvend, ka thënë se ky version e dëmton rëndë Kosovën.

Lajme

11/07/2016 17:37

“Nuk ka kundërshtuar AAK-ja demarkacionin me Malin e Zi. Përkundrazi. Por ajo e ka kundërshtuar këtë version të demarkacionit, duke e vlerësuar të gabuar e të papranueshëm dhe prandaj do të vazhdojë ta kundërshtojë derisa ky version të mos korrigjohet”, ka thënë Nitaj.

Sipas tij, AAK-ja do të provojë, deri sa të jetë nevoja, për t’i bindur deputetët se nuk duhet ta ratifikojnë këtë version të kufirit, sepse është i gabueshëm!

Nitaj vlerëson se institucionet e Kosovës, duhet që të veprojnë, siç do të vepronte çdo shtet normal në raste të tilla, kur pjesa dërmuese e qytetarëve, e ekspertëve dhe madje edhe e politikanëve e deputetëve të atij vendi, e kuptojnë se një version i caktuar ka probleme serioze.

“Të mos ratifikohet marrëveshja, dhe çështja provohet të zgjidhet me palën tjetër, ose demarkacioni të shkojë me automatizëm në arbitrazh”, thotë ai.

Ai shtron pyetjen se pse një standard i tillë nuk duhet të vlejë për Kosovës, kur ai do të ishte në përputhje edhe me ligjet dhe Kushtetutën e vendit, por edhe me standardet ndërkombëtare.