Nitaj: Protesta e 14 majit s’do të ketë shenja të partive politike

Në protestën e 14 majti të paralajmëruar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të marrin pjesë edhe anëtarë të partive të koalicionit qeverisës.

Lajme

10/05/2016 15:46

Kështu ka thënë anëtari i Kryesisë së AAK-së Muharrem Nitaj, teksa ka shtuar se do të ketë protestues edhe nga partitë tjera, ndonëse deri më tani nuk ka asnjë konfirmim, veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne besojmë se do të ketë njerëz edhe të partive në pushtet, por edhe të partive të tjera që do të jenë pjesë e kësaj proteste. Sigurisht se do të ketë edhe njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me partitë politike, por që janë pjesë e aktivizmit qytetar për ndryshim, duke përfshirë këtu edhe shoqërinë civile, studentët, punëtorët, pensionistët”.

Në një bisedë për Gazetën Blic, Nitaj ka thënë se protesta e ardhshme e opozitës nuk është e kufizuar vetëm në baza partiake, përkundrazi siç është shprehur ai, protesta do jetë për të gjithë ata që janë kundër kësaj qeverisjeje.

“Protesta është mbipartiake. Për më tepër nuk do të ketë as shenja të partive politike. Ajo është protestë civile e qytetare dhe është e hapur për të gjithë ata, që nuk pajtohen me krejt çka po ndodhë në Kosovë e përreth saj. Këtë herë protesta është e zhveshur nga ngjyrat politike”, ka deklaruar Nitaj.

Nitaj: Vetëvendosje i ka rënë pishman

Zëdhënësi i AAK-së ka vlerësuar se dallimi i vetëm i kësaj proteste, është se Lëvizja Vetëvendosje është penduar dhe se tani, ajo ka nisur t’i përkrahë protestat në Maqedoni.

“Protesta e 14 Majit është vazhdimësi e protestave të deritashme. Realisht, asgjë nuk ka ndryshuar as nga motivet e as nga kërkesat e protestës, ani se është rritur gama e llogarive për qeverinë. I vetmi ndryshim është se VV-ja i ka ra pishman dhe në vend që në Kosovë, ajo ka vendosur t’i mbështesë protestat në Maqedoni“, është shprehur ai për Gazetën Blic.

Tutje gjatë bisedës, Nitaj ka thënë se nuk ka rrezik që numri i protestuesve të jetë më i vogël se në protestat e kaluara.

“Jo, absolutisht jo. Protesta do të jetë sikur edhe protestat e mëparshme, në mos edhe më e madhe. Të paktën ky është perceptimi ynë nga takimet që janë zhvilluar në terren. Populli opozitar në Kosovë është shumë i madh, pavarësisht nëse ndonjë parti politike, siç thash, i mbështet protestat në Maqedoni e është kundër protestave në Kosovë”, ka shtuar ai.

Ndërsa, synimet e kësaj proteste sipas Muharrem Nitajt, janë të shumta.

“E para duam t’i tregojmë qeverisë se opozita është vendosur në kërkesat e saj, të cilat Isa Mustafa, ka ditur t’i cilësojë si kauza të rrejshme edhe atëherë kur Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se janë në kundërshtim me Kushtetutën. E dyta duam ta sensibilizojmë qytetarin se ai ka fuqi ta ndryshojë këtë gjendje të keqe për vendin”, ka thënë ai, duke i numëruar edhe disa qëllime të tjera, që janë cak i kësaj proteste.

“Opozita po provon ta ndihmojë qeverinë”

“E treta duam që pushtetarët ta shohin se nuk i kanë punët mirë dhe se po shtohet numri i atyre që po kërkojnë dorëheqjen e qeverisë. Tashmë është rritur numri i atyre që janë të bindur më në fund, se kriza politike në vend, nuk mund të zgjidhet pa pasur zgjedhje të parakohshme”, ka thënë ai në vazhdim.

Përpos kësaj, anëtari i Kryesisë së AAK-së, ka thënë se opozita po tenton që ta ndihmojë edhe qeverinë.

“Thjesht Opozita po provon ta ndihmojë edhe Qeverinë, që të dalë nga bataku ku është futur dhe t’ia kthej mandatin qytetarit. Sistemi politik në Kosovë duhet ‘resetuar’, sepse është bllokuar nga virusët”, ka përfunduar Muharrem Nitaj.