Nitaj: Po përgatitemi për ta festuar ardhjen e Haradinajt në Kosovë

Me këtë rast pritet edhe që të merret vendimi përfundimtar për Haradinajn.

Lajme

26/04/2017 18:13

 

Ish kryeministri i Kosovës, ditë më parë ka deklaruar gjithashtu se me rastin e kthimit të tij në Kosovë nuk dëshiron pritje shtetërore.

I kontaktuar nga Indeksonline, zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj ka theksuar se AAK është duke u marrë me përgatitjen që do të shënojnë kthimin e Haradinajt.

“Nuk do të ketë ceremoni shtetërore, por familjare e qytetare. Për të gjithë ata që e presin Ramush Haradinajn dhe numri i tyre është jashtëzakonisht i madh, të premten do të ketë një tubim popullor në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, ku qytetarëve do t’u drejtohet vet Haradinaj”, ka thënë Nitaj.

Po ashtu Nitaj ka shtuar se nëse në rastin Haradinaj vendos drejtësia, ai nesër do të kthehet në Prishtinë dhe do të jetë në agjendën e tij politike e familjare.

“Ne po besojmë se është kuptuar tashmë se kërkesat e Serbisë në raport me Haradinajn janë politike dhe unë besoj se edhe do të marrin përgjigjen e duhur”, ka përfunduar Haradinaj.

Ndryshe ish komandanti i UÇK-së për rajonin e Dukagjinit vazhdon të jetë i ndaluar në Francë që nga muaji janar  me një urdhërarrest të lëshuar nga shteti serb.