Nitaj konfirmon pjesëmarrjen e AAK-së në seancën e nesërme

​Anëtari i kryesisë së AAK’së, Muharrem Nitaj, ka konfirmuar se edhe AAK-ja do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive, të enjten në ora 10:00, ashtu siç do të veprojnë edhe deputetët e dy partive tjera, pjesë e koalicionit PAN.

Lajme

23/08/2017 17:47

Megjithatë, Nitaj, ndonëse një ditë para mbajtjes së seancës, lë të kuptohet se PAN ende nuk i ka të siguruara votat për kryeparlamentar.

“Nesër deputetet e PAN do të marrin pjesë në seancë, por suksesi i votimit të kryetarit dhe nënkryetarëve te Kuvendit, nuk varet nga seanca, por nga vetëdija dhe përgjegjësia e deputetëve që është e paracaktuar me kushtetutë”, tha Nitaj në një prononcim për Gazetën Express.

Tutje, ai tha se nëse deputetëve nuk u pëlqen modeli për zgjedhjen e kryeparlamentar, i cili përcaktohet me kushtetutë, atëherë bën thirrje që të ndryshohet nga Kuvendit, për mandatin tjetër.

“Situata rreth krijimit të institucioneve duhet të marrë zgjidhje. Askush nuk e ka komoditetin të sillet në shpërpushje me kushtetutën dhe vendimin e gjykatës kushtetuese. Sipas kornizës ligjore kryetari i Kuvendit i takon PAN-it dhe nuk është në diskrecionin e askujt që ta ndërrojë këtë normativë kushtetuese. Nuk mund të jetë në diskrecionin e PAN-it, t’ua caktojë të tjerëve se kush do të jetë nënkryetar nga LAA ose VV p.sh., por as ata nuk mund ta kushtëzojnë PAN-in, se ke do ta caktojnë ata kryetar”, tha tutje zëdhënësi i AAK-së.

“Forcat politike duhet te lëvizin nga ky pozicion e ta zhbllokojmë situatën e krijuar rreth konstituimit të plotë të Kuvendit. Çështja e krijimit të qeverise është tjetër, dhe aty kundërshtarët politik mund ta tregojnë fuqinë e tyre politike e jo në mosgatishmërinë e formalizmit të një kandidature që është e përcaktuar edhe me kushtetutë”, tha të mërkurën Nitaj.

Ndryshe, shefi i partisë së Nitajt, Ramush Haradinaj që është mandatari i koalicionit PAN, në një konferencë paradite tregoi për mundësinë e shtyrjes se seancës të së enjtes, ani pse kjo datë është caktuar nga koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit.

Seanca e të enjtes është thirru nga Kuvendi për në ora 10:00.