Nismë e keqe buxhetore e Shpend Ahmetit

Fillim i keq buxhetor gjatë tre muajve të parë të këtij viti është cilësuar puna e Komunës së Prishtinës nga Kuvendi Komunal.

Lajme

03/05/2018 23:11

Prej që Komuna e Prishtinës udhëhiqet nga Shpend Ahmeti, tre muajt e parë të këtij viti kanë qenë performanca më e dobët e tij.

Ekzekutivi komunal i Prishtinës e ka dërguar në Kuvend “Raportin e tremujorit të parë buxhetor, për periudhën janar-mars 2018”. Opozita e Kuvendit , por edhe një pjesë e pozitës janë shprehur të pakënaqur me realizimin e buxhetit për këtë periudhë kohore, shkruan lajmi.net.

Sipas këtij raporti të cilin e posedon lajmi.net, shihet që të hyrat e komunës në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kanë pësuar rënie, ndërsa rritje kanë pësuar shpenzimet komunale. Investimet kapitale kanë ngecur thuajse në pikën zero, ose janë më keq se në vitin e kaluar.

Sipas raportit, të hyrat tatimore dhe jotatimore kanë shënuar një ulje prej 11.96 për qind, që korrespondon me 737,046.70 euro më pakë krahasuar me tremujorin e vitit paraprak. Kjo ulje ka ardhur në masë të madhe nga mos realizimi i të hyrave nga lejet e ndërtimit, shpronësimi, taksave për shfrytëzimin e sipërfaqeve publike etj.

Nga kjo performancë e të hyrave në vitin 2018 në vlerë prej 5,424,614.89  euro ka rritje në disa lloje të të hyrave si që janë tatimi në pronën, transaksione të pronës, taksë për ushtrimin e veprimtarisë etj.

Shpenzimet buxhetore kanë arritur në 11,170,734.03 milionë euro përgjatë tremujorit të vitit 2018, apo 3.02 për qind më shumë krahasuar me shpenzimet e realizuara gjatë së njëjtës periudhë të vitit paraprak. Kjo rritje kryesisht është nxitur nga ekzekutimi më i lartë i shpenzimeve për kategorinë mallra dhe shërbime, të cilat janë rritur me 38.54 për qind krahasuar me vitin paraprak, pasuar nga një rritje në kategorinë e pagave.

Po sipas raportit, shihet që, shpenzimet për paga dhe mëditje kanë shënuar vlerën prej 7,276,924.58 milionë euro gjatë këtij tremujori, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 24.03 për qind krahasuar me vlerën e përgjithshme të buxhetuar për këtë kategori për këtë periudhë. Fatura e pagave gjatë periudhës raportuese paraqet një rritje prej 4.82 për qind apo rreth 334,439.82 euro në shumë krahasuar me faturën e pagave në periudhën e njëjte të vitit 2017.

Shpenzimet në mallra dhe shërbime kanë përcjellë trendin e vitit të kaluar, duke shënuar një rritjet prej 38.54 për qind krahasuar me vitin 2017. Gjatë kësaj periudhe vlera e këtyre shpenzimeve ka arritur në 2,615,897.08 euro, kjo shumë korrespondon me 19.47 për qind të buxhetit për këtë kategori për periudhën janar–mars 2018.

Shpenzimet kapitale janë ekzekutuar me një normë minore. Ato arritën vlerën prej 650,677.15 euro, që është 2.61 për qind e planit gjatë kësaj periudhe të vrojtuar, të cilat kanë regjistruar zvogëlim prej 685,158.62 euro krahasuar me shpenzimet në këtë kategori gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2017.

Shpenzimet në subvencione dhe transfere nënkuptojnë transferet sociale dhe subvencionet, duke përfshirë edhe subvencionet në sektorin e bujqësisë. Këto shpenzime në total regjistruan shumën prej 112,798.96 euro, që paraqet një zvogëlim prej 32.64 për qind krahasuar me vitin 2017.

Buxheti për të gjitha kategoritë ekonomike për vitin 2018, është planifikuar në vlerë prej 72,273,904.00  euro, nga këto mjetë për tremujorin e parë janë shpenzuar 11,170,734.03 euro. /Lajmi.net/

2-shpezimet-kapitale 3-shpenzimet-kapitale 4-shpezimet-kapitale

.